Pas votimit për ministrin e ri të Shëndetësisë të Maqedonisë, partia Aleanca për Shqiptarët do ta braktisë qeverinë. Por largimi i saj do të ndodhë pas votimit të projektligjit për përdorimin e gjuhëve. “Do të votojmë për këtë ligj dhe prej këtij momenti Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë pjesë e një Qeverie e cila mban emrin Qeveri reformatore, por që fatkeqësisht është shndërruar në lavatriçe të politikanëve të inkriminuar dhe korruptuar dhe po lan nga mëkatet këta politikanë, sidomos ata që i përkasin bllokut politik shqiptar në Maqedoni” , është shprehur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Tre zëvendësministrat, një sekretar shteti dhe zyrtarët e tjerë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët kanë depozituar kërkesat për dorëheqjet e tyre në qeveri. “Ne si zëvendësministra të ASH-së, mbi bazën e vendimit politik të organeve të partisë, ashtu siç ka qenë i njoftuar opinioni deponuam dorëheqjet tona në arkivin e qeverisë”, thotë Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët. Megjithatë ai pohon se edhe pas largimit nga koalicioni qeverisës, deputetët e kësaj partie do të mbështesin proceset reformuese në vend. “ASH me dy deputetët që ka në parlamentin e vendit, do të votojë dhe do të përkrahë të gjitha proceset reformuese që ndodhin në vend. Të gjitha ligjet, që kanë brenda tyre elemente reformuese ne do t’i përkrahim. Nuk do të përkrahim vetëm propozimet kadrovike që do të dalin si propozime të qeverisë dhe partnerëve aktualë të koalicionit”, thotë Aziri.
Zaev: Pres mbështetje nga ASH për reformat
Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev nga foltorja e Parlamentit shprehu keqardhje që Aleanca nuk pranoi ofertën e tij për zëvendëskryeministër për reforma, duke shprehur optimizëm për mbështetjen e Aleancës lidhur me miratimin e ligjeve reformatore. Zaevi thotë se shumica jobindëse në parlament në fakt është e shëndetshme për Maqedoninë, sepse vendit nuk i nevojiten diktatorë të rinj. “Shumica jobindëse ishte edhe gjatë formimit të qeverisë, por kjo është demokraci. Unë nuk ngarkohem me këto gjëra. E rëndësishme është që unë si kryeministër nuk planifikoj që të ketë zgjedhje gjatë vitit 2018, por ta realizojmë atë që ua premtuam qytetarëve për jetë më të mirë”, ka thënë kryeministri Zaev.
Zyberi: Mosrespektim i parimeve mes partnerëve të koalicionit Ekspertët vlerësojnë se largimi i Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria dhe ndryshimet brenda shumicës parlamentare erdhën si pasojë e mosrespektimit të parimeve nga tre partnerë të koalicionit. Sipas analistit politik Naser Ziberi partitë qeveritare nuk kanë respektuar marrëveshjen për formimin e qeverisë. Kjo sipas tij u vërtetua në zgjedhjet lokale. Dalja e Aleancës nga shumica parlamentare dhe koalicioni qeveritar nuk krijon turbulencë politike. Mund të ndodhin ngërçe gjatë marrjes së vendimeve, por megjithatë gjithçka do të funksionojë në mënyrë normale thotë Zyberi.
“Deklarata e Selës se pas votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve edhe formalisht do ta lëshojë qeverinë, sigurisht që do imponojë nevojën për riformatim të shumicës parlamentare. Qeveria nuk do të vihet në pikëpyetje, ajo do të vazhdojë të funksionojë me një shumicë minimale, shpeshherë mund të ketë ngërçe në funksionimin dhe krijimin e shumicës në marrjen e vendimeve. Por si e tillë mund të vazhdojë të funksionojë, duke marrë parasysh se ka gatishmëri që të jenë pjesë e qeverisë subjekte të tjera politike, si PDSH dhe disa deputetë që po dalin nga VMRO-DPMNE”, thotë analisti politik, Naser Zyberi. VMRO-DPMNE vazhdon bojkotin e Parlamentit Edhe pas kongresit të jashtëzakonshëm të partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, në të cilin u zgjodh kryetari i ri Hristijan Mickovski, në vend të Nikolla Gruevskit, deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë të bojkotojnë punimet e Kuvendit. Nga kjo parti thonë se kështu do të jetë derisa deputetët e kësaj partie mbahen në paraburgim për incidentet e 27 prillit në Kuvend.
“Jemi në një situatë kur duam dhe duhet të ketë relaksim të gjendjes në vend, ulje të tensioneve dhe paqe. Por në të njëjtën kohë kemi një gjendje kur vazhdohet paraburgimi për personat e përfshirë në incidentin e 27 prillit dhe kjo nuk është mirë për dialogun politik, por përkundrazi, e mbyt dialogun”, deklaron Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ka ftuar edhe një herë opozitën maqedonase të kthehet në Kuvend.
“Lëvizjet dhe veprimet që bëhen pas Kongresit të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së mendoj që shkojnë në drejtim të konsolidimit të tyre dhe kthimit të tyre në Parlament. Këto janë pritshmëritë e mia dhe theksoj se nuk udhëhiqem nga hipotezat”, ka thënë Xhaferi. Ai pret dhe është i bindur se opozita do të inkuadrohet në punën e grupeve parlamentare dhe në seancat nga 9 janari i vitit të ardhshëm, ku do të debatohet për miratimin e ligjit për gjuhën dhe zgjedhjen e gjykatësve kushtetues.