Rritja e tensioneve në veri të Kosovës, pas dyshimeve se segmente të caktuara në Mitrovicë do të krijonin trazira, përkoi edhe me praninë e disa patrullave të forcave të KFOR-it, pranë në liqenin e Gazovidës, në kufirin Kosovë – Serbi.

 

Një lëvizje e tillë alarmoi mediat serbe që raportuan për masa të NATO-s kundër qëllimeve të mundshme dhe tentativave për autonomi në veriun e Kosovës.

 

Por në një reagim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i KFOR njofton se nuk bëhet fjalë për marrje kontrolli të liqenit të Gazivodës, por për prania e trupave është pjesë e një ushtrimi të planifikuar më herët.

 

Po ashtu në faqen zyrtare në Twitter, KFOR njoftoi se “nuk ka asnjë bllokade në liqenin e Gazivodës dhe KFOR-i nuk ka vënë nën kontroll as liqenin e as ndonjë stacion hidroelektrik. Situata është e qetë dhe nën kontroll. KFOR-i është këtu për të mbrojtur të gjithë qytetarët e Kosovës”.

 

Një reagim për tensionet e fundit pati edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, duke bërë thirrje për qetësi. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale dhe për rrugën e qartë të dy vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, thuhet në reagimin e DASH për Zërin e Amerikës.

 

Edhe BE kërkoi nga Prishtina dhe Beogradi që mos të ketë tensione, të cilat mund të dëmtojnë përpjekjet e përbashkëta për arritje të një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Artikulli paraprakPËRPLASJE E FORTË BERISHA-THAÇI
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I MOTIT 5 GUSHT