Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në superstradën Lezhë-Milot. Ngjarja ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit, pranë kryqëzimit të Ishull-Shëngjinit. Një automjet tip ‘Benz’ ku udhëtonin dy persona ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një biznes në anë të sajë. Për pasojë ka ndërruar jetë 24-vjeçari Dedë Dedgjoni, i cili drejtonte mjetin, ndërsa pasagjeri, shtetasi Ndue Pjetri, është transportuar në spitalin e Traumës ne Tiranë duke qenë se ka marrë fraktura të rënda në trup. Policia vendore e Lezhës në njoftimin e saj bën të ditur se drejtuesi i mjetit tip “Benz” Dedë Dedgjoni ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga.
Policia e Lezhës konfirmon ndarjen nga jeta të Dedë Dedgjoni dhe dëmtimet për pasagjerin Ndue Pjetri. Pas aksidentit të rëndë menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur një ambulancë e shërbimit kombëtar të urgjencës duke bërë të mundur transportimin e të plasgosurit ndërsa drejtuesi i mjetit ka qenë e pamundur pasi ka ndërruar jetë në mënyrë të menjëhershme. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë të Lezhës duke nisur hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti në aksin Lezhë-Milot, pranë kryqëzimit të Ishull-Shëngjin.
Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i këtij aksidenti është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor si dhe shpejtësia tej normave të lejuara. Aksidentet rrugore edhe në qytetin e Lezhës janë kthyer në një shqetësim duke bërë që të jenë të shumtë dhe shpesh herë me pasoja fatale si në këtë rast apo edhe me të plagosur rëndë. Shkak i aksidenteve është që nga përdorimi i celularit, alkoolit apo edhe shpejtësia e madhe me të cilën lëvizin drejtuesit e mjetev si dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.
Pavarësisht masave shtërnguese të policisë në Lezhë lidhur me këto aksidente sërish ndërgjegjësimi tek drejtuesit e mjeteve vijon të mbetet i ulët. Njollat e zeza në akset rrugore të Lezhës janë po ashtu të konsiderueshme sa i përket aksidenteve.