Një këmbësor është plagosur rëndë pranë kryqëzimit të Milotit në rrugën Lezhë-Fushë Krujë, pas përplasjes nga një makinë.
Drejtuesi i mjetit ishte një shtetas kosovar, i cili është ndaluar nga policia. I plagosuri është dërguar me urgjencë drejt Tiranës dhe raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka mbëritur në vendin e ngjarjes dhe është duke punuar për zbardhjen e plotë të saj. Aksi rrugor nga Lezha në Tiranë vijon të jetë një njollë e zezë sa i përket aksidenteve rrugore në vendin tonë.
Aksidentet janë edhe më të shumta për shkak të fluksit të madh të mjeteve në sezonin turistik. Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia tej normave të lejuar janë dy shkaktarët kryesor të aksidenteve pa lënë mënjanë edhe përdorimin e celularëve.
Policia ka shtuar patrullimet në këto akse por sërish aksidentet janë një shqetësim.