Tërmeti i 26 nëntorit 2019, ka sjellë dëme të konsiderueshme në qarkun e Lezhës, ku një ndër godinat që ka pasur dëmtime serioze është dhe gjykata e këtij rrethi.
Kjo gjykatë është inspektuar javën e kaluar nga inxhinierët e Institutit të Ndërtimit në Tiranë, të cilët kanë konstatuar se godina e gjykatës së Lezhës, është e pabanueshme dhe nuk ka garanci për të vijuar punën e përditshme në këtë objekt.
Nisur nga kjo situatë, është marrë vendimi që kjo gjykatë të transferohet në ambientet e prokurorisë së Lezhës.
Salla e mbledhjeve të prokurorisë së Lezhës, është kthyer në sallë gjyqesh, ku prej disa ditësh po zhvillohen seancat për caktimin e masës së sigurisë ndaj personave që arrestohet nga policia e këtij qyteti.
Deri në këto momente në ambientet e prokurorisë po zhvillohen vetëm këto gjyqe, ndërsa për sa i përket gjyqeve të themelit penal dhe civil, ato vijojnë të jenë të pezulluara.
Veç sallës së mbledhjeve, prokuroria ka liruar dhe katër zyra ku po ushtrojnë detyrën e tyre gjyqtarët e gjykatës së Lezhës.