Në Shëngjin ka nisur aksioni për shembjen e ndërtimeve provizore përgjatë brezit të rërës.
Ndërhyrja po realizohet nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit me mbështetjen e Bashkisë Lezhë, e cila prej tre 3 vitesh kishte kërkuar shembjen e këtyre ndërtimeve.
Janë rreth 40 objekte që do të shemben nga fadromat e IKMT. Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj tha se nuk do të ketë tolerime ndaj subjekteve që kanë zaptuar brezin e rërës.
“Nuk është një aksion i Bashkisë Lezhë, është një koordinim me IKMT. Është një kërkesë e hershme për të vendosur një rregull në menaxhimin e bregdetit dhe kemi bërë një kërkesë pothuajse për të gjithë objektet aty dhe unë jam që bregeti të jetë i të gjithëve, jo i selektuar. Shëngjini është masakruar në prona.
Unë do të isha dhe për një rishikim të atyre pronave, se si janë marrë apo dhënë. Unë jam transparent dhe jam që bregdetit i Shëngjinit dhe i gjithë Shqipërisë të rishikohen pronat përreth tyre”, u shpreh Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj.
Pas shembjes së ndërtimeve, do të nisë menjëherë puna për largimin e inerteve dhe sistemimin e zonës bregdetare, për të qenë gati për sezonin turistik që pritet të hapet zyrtarisht brenda pak javësh.
I vënë nën akuzë për korrupsion me pronat, kryebashkiaku i Lezhës, , kërkon rishikim të procesit në të gjithë bregdetin shqiptar.
Duke pranuar se në Shëngjin është bërë masakër me pronat, siç e cilëson ai, Frrokaj thotë se në fund të këtij procesi pronarët e ligjshëm të lejohen ti zhvillojnë.
Fran Frrokaj: Është e bukur, këtë fjalë e them unë personi i akuzuar publikisht dhe juridikisht për këtë pjesë. Jam transparent dhe dua që bregdeti i Shëngjinit dhe gjithë Shqipërisë të rishikohet dhe të rivlerësohen pronat dhe mënyra e marrjes së tyre.
Ata që kanë prona pastaj, nuk mund ta trajtosh ndryshe, ai ka një pronë të blerë në bregdet dhe nuk pse të mos ketë një objekt provizor së paku për të menaxhuar dhe nxjerrë fitimin e asaj prone.
Krahas abuzimeve me pronat për të cilat Lezha ka qenë në vazhdimësi në qendër të hetimeve, ndërtimet pa leje janë një tjetër problematikë.
Këtë të hënë IKMT nisi atje shembjen e 40 objekteve pa leje në brezin e rërës, një kërkesë prej tre vitesh e bashkisë së Lezhës.
Pas aksionit bashkia e Lezhës thotë se do të nisë përgatitjet për sezonin e ri turistik.