Nxënësit e klasave të nënta në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në qytetin e Lezhës, bojkotuan procesin mësimor këtë të enjte. Shkak u bë largimi nga pune i mësuesit të Matematikës Ramiz Bajrami, i cili pak dite më parë shfaqej në një video në rrjetet sociale duke goditur një nxënës, gjatë orës së mësimit.
Nxënësit e konsiderojnë të padrejtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për largimin nga puna të mësuesit, që sipas tyre ai u provokua dhe ra pre e një kurthi brenda klasës.
Stafi pedagogjik dhe Komisioni i Disiplinës nuk ka kërkuar asnjë lloj mase ndaj mësuesit, ndaj dhe nxënësit e irrituar kërkojnë që ministria të tërhiqet nga ky vendim i padrejtë.
Në lidhje me këtë çështje nxënës të shkollës “Kosova” dhe prindër po përgatisin dhe një peticion drejtuar Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar në Lezhë dhe ministrisë, ndërsa paralajmërojnë bojkot të vazhdueshëm të mësimit deri në rikthimin në punë të mësuesit Ramiz Bajrami.