Autori i plagosjes së 27-vjeçarit Alfred Marku mesditen e së dielës në plazhin e Tales në Lezhë do të qëndrojë në burg pa afat.

Ermir Lucaj u njoh këtë të mërkurë me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës, ku në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, përmes avokatit mbrojtjes 30-vjeçari ka pretenduar se është provokuar nga Alfred Marku dhe ka marrë armën e zjarrit për ta trembur e jo për të qëlluar në drejtim të tij.

Por, pavarësisht këtyre pretendimeve gjyqtari Elvis Sulejmani pranoi kërkesën e prokurorit Arben Nika, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e 30-vjeçarit Ermir Lucaj dhe vendosi ndaj tij masën e sigurë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëbajtja pa leje”.

Ngjarja u shënua rreth orës 13:30 në bregdetin e Tales në Lezhë, teksa dy të rinjtë debatuan fillimisht me njëri tjetrin, e më pas autori mori pistoletën dhe qëlloi Alfred Markun.

Autori u prangos disa orë pas ngjarjes, ndërsa nga hetimet rezultoi se plagosja ndodhi për motive xhelozie, pasi i plagosuri i kishte ngacmuar të dashurën autorit.

Artikulli paraprakZYRTARE/ SYLVINHO RINOVON ME KOMBËTAREN, FIRMOSIN EDHE NDIHMËSIT E TRAJNERIT
Artikulli tjetërNGA E HËNA, SEMAFORË EDHE NË PARRUCË