NGJARJA NË ORËN 4 TË MËNGJESIT NË LAGJEN “BESËLIDHJA”.Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës. Një sasi tritoli e cila ishte vendosur në katin e 4 të një apartamenti ka shpërthyer por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar vetëm dëme materiale.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:00 të mëngjesit, ndërsa objekt i sulmit ka qenë Paulin Deda efektiv i burgut të Shën Kollit në Lezhë. Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e poshtme të derës së shtëpisë, ndërsa në momentin e shpërthimit 4 pjesëtarët e familjes Deda kanë qenë në gjumë.
Policia e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet, ndërsa është bërë e ditur se ende nuk ka asnjë person të shoqëruar.Uniformat blu të Lezhës kanë kërkuar ndihmën e eksperteve të xhenjos të cilët kanë ardhur nga Tirana për të përcaktuar sasinë dhe llojin e tritolit që është vendosur. Nga të dhënat e para është bërë e ditur se autorët e kësaj ngjarje nuk kanë qenë profesionistë pasi kanë lënë shumë gjurmë në vendin ku është vendosur sasia e tritolit.Kjo pritet që të ndihmojë edhe policinë në identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarje.Paulin Deda punonte prej 8 vitesh si polic i grupit të gatshëm që shoqërojnë të burgosurit për ti dërguar ata në seancat gjyqësore në gjykata.