PËR TË PËRMBUSHUR DETYRIMET, POSTA ZGJEDH PUNONJËSIT QË NJOHIN TERRENIN. Mungesa e sistemit të adresave në Lezhë nuk është diçka e re për këtë qytet. Për shkak se diçka të tillë nuk e ka parë askush të nevojshme për ta përmirësuar ka sjelle edhe vështirësi për shpërndarjen e postës.
Punonjësit e filialit të Lezhës janë të detyruar të veprojnë me hamendje ose duhet të jenë njohës të zonës ku ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë që të gjejnë vendndodhjen e personit të cilit i është dërguar një postë. Për shkak të kësaj anomalie nuk mungojnë edhe rastet e vonesave, që me të drejtë mund të konsiderohen të arsyetueshme. Kjo problematikë pranohet edhe nga vetë Drejtoresha e Postës Shqiptare në Lezhë Eglantina Mirashi. Ajo ka bërë të ditur se për të përmbushur detyrimin janë përzgjedhur postierë që njohin mirë terrenin dhe zonat e tyre. Ndonëse projekti i sistemit të adresave ka startuar vite më parë dhe u trumbëtua me të madhe nga Bashkia e Lezhës, ajo ka mbetur në fazat fillestare, ndërsa për adresat vetëm hamendësohet. Kjo është mënyra më e keqe e prezantimit të një qyteti para turistëve të huaj, dhe mungesa e adresave në Lezhë i bën ata që të sorollatën për të shkuar në itinerarin që kërkojnë, ndërsa askush nuk di të thotë se kur ky qytet do të ketë gati sistemin e adresave.