Ka përfunduar faza e përzgjedhjes së teksteve shkollore nga mësuesit. Këtë vit shkollor nuk do të ketë më shumë se dy lloje të ndryshme tekstesh për nxënësit, ndërsa synohet të shkohet drejt një teksti të vetëm. Mirëpo, pavarësisht përzgjedhjes që është bërë, ngrihet shqetësimi në lidhje me cilësinë e tyre, pasi pretendohet se ende ka tekste me gabime që do të përdoren këtë vit.
Këtu bëhet fjalë për tekstin e historisë, i cili nuk do të ndryshojë. Ndërsa është vendosur që shitja e teksteve shkollore për vitin 2015-2016 të bëhet në periudhën 25 gusht deri më 13 shtator. Shitja e teksteve shkollore bëhet nga njësitë tregtare të shitjes së librave. Në udhëzimin e MAS, i cili mban datën 12 qershor, përcaktohet se çdo shkollë, për periudhën 25-gusht-13 shtator 2015, u vë në dispozicion falas personave të ngarkuar nga shpërndarësit e rrethit (librashitësit), një ose dy klasa të sigurta për shitjen e teksteve shkollore me hologramën e MAS-it. Veç teksteve të reja për nxënësit e klasave të para dhe të gjashta, edhe librat shkollorë për klasat e tjera, pra tekstet për nxënësit nga klasa e 2-5, dhe nga klasa e 7-12, do të kenë një rritje të lehtë, e cila është llogaritur në bazë të inflacionit të vitit 2014. Në katalogun e teksteve shkollore është përcaktuar se “çmimi për tekstet shkollore 2015, është indeksuar me vlerën e inflacionit 31.12.2014 referuar INSTAT-it, 0.7 për qind”.