Letërkëmbimet e dy prej emrave më të shquar të gjuhës shqipe, akademikut Jup Kastrati dhe Atë Justin Rrota janë përmbledhur në një libër të quajtur “Epistular” i botuar sëfundmi nën kujdesin e vajzës së profesor Jup Kastratit, Diana Kastrati. Promovimi i këtij libri me 299 letërkëmbime që datojnë nga viti 1951 deri në 1964 dhe që përmbledhin një profil të qartë të gjuhës shqipe bashkë me gjitha problemet mes Jup Kastratit dhe Justin Rrotës u bë në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër.
Vajza e profesor Jup Kastratit këtë botim e quan të rallë sa i përket itensitetit të letërkëmbimeve mes dy personaliteteve të gjuhës shqipe.
Epistulari me gjitha letrat drejtuar njëri-tjetrit lidhet me dy momente të rëndësishme, 100 vjetorin e gjuhës shqipe por edhe 100 vjetorin e lindjes së profesor Jup Kastratit i cili e ka lënë në testament që ky botim të dalë në dritë pikërisht në 100 vjetorin e tij.
Gjuha shqipe ka ende shumë sfida thotë Diana Kastrati ndërsa babain e saj quan fortesën e fundit që mbrojti dialektin gegë në 1972-shin.
Libri “Epistular” me 299 letrat e Jup Kastratit dhe Atë Justin Rrotës të shkëmbyera për 13 vite me radhë që në thelb kanë gjuhën shqipe është një botim me vlera të veçanta, i vlefshëm për akademikët, studiuesit, universitetet dhe këdo tjetër.