Dennis Hope është amerikani që merret me biznesin e shitjes së tokave në Hënë. Ai ka krijuar shoqërinë “Ambasada e Hënës” regjistruar në zyrën tregtare të Nevadës.
Është një sipërmarrës aspak surrealist, që deri më tani ka arritur të shesë 3 mln euro pasuri hënore, (afro 80 territore), duke u dhënë blerësve certifikatë zyrtare të pronësisë së tyre.
Ky lajm i paradisaviteve do të bëhej shkas që shkrimtari Moikom Zeqo të sjellë për lexuesin librin me titull “Shitja e Hënës”, parabola shekujsh.
“Ky është një libër me tregime dhe parabola.
Kam synuar një formë të shkurtër të narratives që është më simbolike, më shumë kuptimore edhe më semantike, siç është parabola. Tematikat në këtë libër janë të ndryshme, që nga ato antike, ka mesjetën dhe kohërat moderne.
Titulli ka të bëjë me kohërat moderne. Me një agjenci, e cila nuk është shpikja ime, por është përtej imagjinatës, e cila është konfirmuar në botë. U jam referuar lajmeve të shtypit.
Një agjenci, e cila tenton që të bëjë shitjen e territoreve ende të papopulluara me njerëz të hënës. Unë e kam konceptualizuar këtë lajm, për të treguar se në një botë ku simboli kryesor është shitblerja, tregtia arrihet deri në absurditete të tilla, sa mund të shiten edhe territoret e shkretëtirëta pa jetë, pa ajër të hënës.
Në një parabolë të tillë, inextremis është gati-gati në kufi të absurdit ku mund të kuptohet diçka nga realiteti i botës së sotme. Njerëzit revoltohen ndaj këtij realiteti, ku çdo gjë që konsiderohet shitblerje, ku të gjitha marrëdhëniet njerëzore shndërrohen në marrëdhënie monetare”.
Edhe përse njeriu gjendet i tjetërsuar apo i alienizuar në këtë realitet. Libri ka një hyrje që lidhet me meditimin se si temat letrare gjithmonë mund të tjetërsohen apo mund të ndryshojnë.
“Për shembull temat e Homerit apo të Shekspirit, të Tolstoit gjithmonë mund të tjetërsohen. Unë jam shembuj se si mund të tjetërsohen temat në aspektin mendor. Janë edhe shumë parabola, që lidhen me mistikën e lindjes.
Mua më kanë tërhequr në mënyrë të veçantë panteistike, metafizika e teologëve të mesjetës. Tregimet këtu lidhen shumë me emra teologësh të mëdhenj, siç është Buda apo Zarathustra, subjektet e teologjisë së krishterë, apo të Thoma Akuiunit e Shën Agustinit”.
Në libër nuk mungojnë as personazhe dhe temat shqiptare, siç është një histori e jetëshkrimit të disa shenjtorëve bizantinë, “Gjumashët e Efesit”. Këto elementë e bëjnë këtë libër me rrëfime të befasishme.
Shkrimtari ka përdorur një stil nervoz ose muskuloz, pa fjali lidhore, por me fjali të stilit atik (drejtpërdrejtë pohuese ose mohuese), pa shumë mbiemra edhe kundrina. Nëpërmjet kësaj teme Zeqo rrëfen marrëzirat e shitblerjes në realitet.
“Unë e përdora këtë fakt të marrë nga shtypi për të treguar se si në këtë sistem të shitblerjes arrihen marrëzirat më të mëdha, siç mund të shiten lajmet, artistët, kryetarët e shteteve, një lloj prostituimi universal.
Apo siç mund të shiten edhe shpirtrat, pak a shumë “shpirtrat e vdekur”. Ndodh ky absurditet, ku njeriu shkon edhe të marrë një faturë, që të bëjë një kontratë juridike edhe të jetë pronari i një hapësire që nuk ka për ta përdorur kurrë”.
Këto forma shitje që po shtohen çdo ditë edhe më shumë, profesori mendon e bëjnë njeriun më të varfër.
“Qëllimi im ky është për të treguar sesa e varfër shpirtërisht është bota e të pasurve. Pasuria nuk është se të shton vlerat shpirtërore. E dyta, përsa i përket botës së diturisë, nuk ekziston dot parimi i shitblerjes. Mund të blesh një diplomë, mund të bëhesh edhe akademik, por nuk ke futur gjë në kokë.
Dituria futet në kokë nëpërmjet një pune vetjake. Nëse kafka e një njeriu është një stinë e errët, nëse ke mësuar pak e ke ndriçuar me qiri të zbehtë. Nëse ke mësuar shumë, ke ndriçuar me drita të fuqishme”.
Shitblerjet më të rënda në realitetin shqiptar, për shkrimtarin dhe studiuesin, janë diplomat falëse.
“Një nga gjërat më të rreme që ka sot realiteti shqiptar është që profesoriati i sotëm i universiteteve që kemi ne, bëjnë diploma false. Madje marrin tituj pa mbaruar as shkollën e mesme. Shumë deputetë paraqiten në kuvendin e Shqipërisë sikur kanë marrë disa diploma. Është një realitet i trishtë.
Prandaj forma e parabolës më duket një mënyrë inteligjente, që mos të bezdisë edhe të lodhë lexuesin duke lexuar gjëra të stërzgjatura”.
Moikom Zeqo shton se nocioni i të pasurve edhe të varfërve nuk duhet që të jetë në kuptimin pasuror të pronave, por të mendjes.
“I pasur mund të quhet një njeri i ditur, edhe i varfër një njeri që është i varfër nga dituria. Sen Simoni ishte kont, por e kishte urdhëruar shërbyesin e vet që ta çonte çdo mëngjes, duke i thënë: ‘Çohu kont se të presin vepra të mëdha’.
Jam i bindur që pasanikët e Shqipërisë, supermilardierë janë anonimës, kanë një fatkeqësi që nuk mund të konsumojnë dot as pasuritë që kanë se mbeten diku si virtuale në bankë. Pasuria ka arritur në kufijtë e iluzionit, siç ka arritur edhe paraja.
Nga paraja nacionale, u kthye në euro edhe tani jemi tek kartat elektronike. Ka një vdekje të parasë më anë të kartave elektronike. Të gjitha këto janë interesante për një letërsi moderne”.
Qëllimi i këtij libri që ka në qendër parabolën, është që në pak rreshta të thuhet shumë. Në letërsinë shqipe formën e parabolës e kanë përdorur, Migjeni, Faik Konica edhe Fan Noli.