Liderët e vendeve që preken nga rruga ballkanike e emigrantëve dhe përfaqësuesit me të lartë të BE-së kanë konfirmuar edhe njëherë qëndrimet e ndryshme që kanë në lidhje me ndërtimin e një strategjie për të menaxhuar fluksin e azil-kërkuesve.
Gjatë samitit të mbajtur në Vienë, që u prit nga kancelari austriak, Kristian Kern, dhe ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Rama, krerët e shteteve dhe të qeverive nuk arritën të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Por kësaj herë, u pa edhe një kundërshti mes përfaqësuesve të BE-së. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, u shpreh se rruga ballkanike duhet të vijojë të mbetet e mbyllur për në të mirë të emigrantëve, të cilët sipas tij rrezikojnë jetën dhe paguajnë shuma të mëdha parash për të kaluar kufijtë në mënyrë të jashtëligjshme. Megjithatë, nuk ka qënë i të njëjtit mendim eurokomisioneri për emigracionin, Dimitris Avramopulos, i cili u shpreh se kjo cështje duhet të zgjidhet duke u bazuar në vlera si humanizmi dhe solidaritet. Nga ana tjetër, reagimi më i ashpër ka ardhur nga Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, i cili ka mbështetur sërish idenë e tij për dërgimin e të gjithë emigrantëve në një kamp gjigand jashtë Europës që mund të financohet nga vendet e BE-së. Kësaj rradhe, Orban ishte më konkret duke propozuar ndërtimin e kampit në Libi. Një reagim të pritshëm ka patur nga Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, i cili edhe një herë apeloi për mbështetje në menaxhimin e krizës. Ai u shpreh se aktualisht në territorin helen ka mijëra emigrantë dhe se vendi i ka tejkaluar kapacitetet strehuese. Samiti i Vjenës konfirmoi edhe njëherë se liderët europianë kanë ende boshllëqe dhe papajtueshmëri në qëndrimet e tyre. Megjithatë, përfaqësuesit ranë unanimisht dakord se vendet ballkanike duhet të shtojnë bashkëpunimin me Turqinë me qëllim mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Europës.