Barcelona, fituese në fuqi e Ligës së Kampioneve, nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në fushën e Romës në ndeshjen e parë të këtij edicioni. Në takimin e Grupit E të luajtur në Romë, katalanasit bënë një nisje shumë të mirë të ndeshjes dhe kaluan në avantazh me anë të Suarez në minutën e 21 të takimit. Por vetëm 10 minuta më vonë, Florenzi barazoi me një gol të jashtëzakonshëm, falë një gjuajtjeje nga gjysma e fushës, që gjeti të papërgatitur Ter Shtegen. Në një ndeshje shumë argëtuese, të dyja palët kishin shanse për të gjetur përsëri rrugën e rrjetës.
Lionel Mesi, i cili dje u bë lojtari më i ri (28 vjeç e 2 muaj), që arrin kuotën e 100 ndeshjeve në Ligën e Kampioneve, kishte një mundësi shumë të mirë për të realizuar golin e fitores, por u ndal nga traversa. Në ndeshjen tjetër të grupit, Bajer Leverkusen ka bërë detyrën, duke mposhtur pa shumë probleme bjellorusët e BATE Borisov me rezultatin 4-1. Në Grupin F ka ndodhur surpriza më e madhe e këtyre ndeshjeve të para, humbja e paparashikuar e Arsenalit 2-1 në fushën e Dinamos së Zagrebit. DINAMO E ZAGREBIT NDAL ARSENAL, CHELSEA FITON BINDSHËM
Ekipi kroat kaloi në avantazh falë autogolit të Oksleid-Çambërlein, ndërsa më pas gjërat iu thjeshtësuan nga Zhiru, i cili u ndëshkua me karton të kuq para fundit të pjesë së parë. Fernandes shënoi edhe golin e dytë në minutën e 58, ndërsa goli i Uollkot shërbeu vetëm si ngushëllim për Venger, i cili realizoi një rekord të ri me praninë në edicionin e 19 si trajner në Ligën e Kampioneve. Ndeshja tjetër, mes Olimpiakos dhe Bajern Mynih, u mbyll me suksesin 3-0 të ekipit gjerman. Tomas Myler, autor i një dygolëshi, u bë futbollisti i parë gjerman që realizon gol në tetë edicione radhazi të Ligës së Kampioneve. Çelsi ka fituar shumë lehtë me rezultatin 4-0 përballë Makabi Tel Aviv, në një ndeshje ku Murinjo kishte lënë në stol disa prej titullarëve. Kthimi pas një viti heshtjeje te goli i Diego Kostas në Ligën e Kampioneve ishte sinjali më i mirë se anglezët po kthehen në formën e tyre më të mirë, duke lënë pas problemet e kampionatit. Më rivalizues ishte takimi tjetër i Grupit G, ku Dinamo e Kievit me Porton janë ndarë në një barazim 2-2. Suksesi jashtë fushe me rezultatin 3-2 i Zenitit ndaj Valencias i ka dhënë një shtysë skuadrës ruse, që tashmë kryeson Grupin H. Takimi tjetër i grupit, mes Gent dhe Olimpik Lion, është mbyllur në barazimin 1-1.