Ligj i ri për strehimin e të varfërve. Për qytetarët më të varfër, Qeveria do të sigurojë 100 përqind të pagesës së qirasë për shtëpinë.
Ligji i ri për strehimin social përfshin për herë të parë Ministrinë e Zhvillimit Urban në subvencionimin direkt të qytetarëve që nuk kanë të ardhura. “Deri në 100 përqind të pagesës nëse nuk kishte të ardhura nuk subvencionohet. Tashmë MZHU ka hyrë vetë me financimet e veta për t’u bërë pjesë e kontributit të njerëzve në nevojë”, thotë Aida Seseri, Drejtoreshë e Strehimit. Zonja Seseri thotë se ligji dyfishon programet e strehimit. Në të parashikohet për herë të parë edhe strehimi i përkohshëm. “Rastet e dëbimeve nuk do të jenë më. Kur ka një investim publik për qytetarët do të ketë një strehim të shpejtë të qëndrueshëm”, shprehet Seseri. Banesat Sociale nuk do të mund të bllokohen më për shkak të konflikteve politike në këshillat bashkiakë pasi në rastet kur bashkia nuk vepron, kompetenca për shpërndarjen e banesave i kalon pushtetit qëndror. “Mungesa e shpërndarjes së banesave sociale për shkak të konflikteve politike bëhet pengesë që qytetarët të marrin strehim dhe kjo është e pafalshme. Pikëzimin e bën bashkia edhe listën po ashtu. Kur Bashkia nuk vepron kompetenca i kalon pushtetit qendror, gjashtë muaj deri në 1 vit”, deklaron Drejtorja e Strehimit në MZHU. Në ligj parashikohet ngritja e banesave të specializuara për gratë e dhunuara apo të rinjtë që dalin nga institucionet e drejtësisë. Ndërsa krijimi i pronarit social u mundëson subjekteve private të hyjnë në marrëdhënie me bashkinë, për t’u përjashtuar nga taksa e qirasë dhe për të vënë në dispozicion banesat e tyre.