Me aprovimin e ligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm, duke filluar nga muaji prill në Itali ndryshojnë normativat mbi call center, aktivitete që vitet e fundit janë delokalizuar në masë nga Italia drejt vendeve lindore, kryesisht drejt Shqipërisë.
Normativa e re, parashikon që përdoruesi të mund të zgjedhë nëse dëshiron të flasë më një operator që ndodhet fizikisht në Itali ose në një vend tjetër europian, apo të pranojë shërbimin e një operatori jo të Bashkimit Europian. Gjë që detyron firmat ofruese të shërbimit që të deklarojnë fillimisht në hapje të telefonatës se ku ndodhet operatori dhe më pas të garantojnë mundësinë e zgjedhjes. Norma hyn në fuqi nëntëdhjetë ditë pas botimit në gazetën zyrtare në mënyrë që firmat të mund të organizohen, përndryshe do tu duhet të paguajnë një gjobë prej 50 mijë eurosh në ditë. Ligji përfshin edhe një sërë masash të tjera frenuese si nevoja e paralajmërimit në rast delokalizimi dhe vështirësia për të marrë pjesë në tendera publikë për firmat që kanë veprimtarinë e tyre në vendet jo europiane. Synimi është kthimi i aktivitetit në Itali ku llogaritet të jenë në rrezik rreth 70-80 mijë vende pune, ndërsa në Shqipëri janë 827 call center në marrëdhenie me Italinë, aktivitete që punësojnë rreth 25 mijë persona.