Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik draftin për ndryshimet në ligjin për informimin publik dhe propozon uljen e gjobave për nëpunësit që nuk japin informacion. Në nenin 18 të ligjit aktual, gjoba më e ulët është për institucionet që nuk japin informacion është 150 mijë lekë, por kufiri parashikohet të zbresë në 50 mijë lekë.
Në relacionin bashkangjitur draftit argumentohet se kufiri minimal i gjobës propozohet të ulet pasi në shumë raste gjoba minimale ka rezultuar disa fish më i madh se paga e nëpunësve publikë.
“Në disa raste, të zbatuara edhe në praktikë, kufiri minimal i masës së gjobës ka rezultuar të jetë disa-fish më i madh se paga e nëpunësve publik dhe vendosja e një mase të tillë gjobe i shkakton një dëm të konsiderueshëm kushteve ekonomike dhe të jetesës së nëpunësit. Dënimi administrativ ka si synim kryesor parandalimin e shkeljes së ligjit, si dhe ndërgjegjësimin e shkelësit dhe jo dënimin e tij. Për këtë arsye masa e gjobës është rishikuar, megjithatë, është treguar kujdes që nga njëra anë të sigurohet proporcionaliteti duke ulur kufirin minimal të gjobës dhe, nga ana tjetër, të garantohet dhënia e një dënimi proporcional në raport me shkeljen, duke mos ndryshuar kufirin maksimal të vlerës së gjobës”, thuhet në relacion.