REFORMA NË DREJTËSI KA NEVOJË PËR NJË QASJE SERIOZE DHE TË GJITHANSHME .

Prezenca e OSBE në Shqipëri i ka cilësuar ndryshimet e pritshme në ligjin për KLD si masa mjaft të ashpra të cilat cënojnë integritetin e këtij këshilli. Nëpërmjet një letre drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, OSBE ka dhenë edhe sugjerime konkrete se si duhen bërë ndryshimet ligjore, në mënyrë që të jenë konform mënyrës se si duhet të funksionojë këshilli i Lartë i Drejtësisë.“Në lidhje me pikën b të këtij projektligji, në nenin 21 të ligjit ekzistues, mendojmë se pezullimi automatikisht i gjyqtarit vetëm për shkak të regjistrimit të një procedimi penal është masë shumë e ashpër dhe nëse abuzohet me të mund të kërcënoje funksionimin e Këshilli të Lartë të Drejtësisë, në veçanti por edhe të gjyqësorit në përgjithësi” thuhet në letër.Për këtë arsye, OSBE ka propozuar që legjislatori të aplikojë lloje të ndryshme pezullimi në rastet kur gjyqtari i është nënshtruar një mase sigurie shtrënguese për të cilën Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur dakord dhe në rastet kur procedimi penal është regjistruar për një krim të kryer me dashje. Nga ana tjetër sugjerohet që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të vendosë, rast pas rasti, kur procedimi penal është regjistruar për një krim të kryer nga pakujdesia.Prezenca e OSBE më tej ka shtuar se “reforma në drejtësi ka nevojë për një qasje serioze dhe të gjithanshme, duke përfshirë në konsultime të gjithë aktorët e interesuar dhe duke kryer një proces hartimi në transparencë të plotë edhe për publikun”.Sa i përket ngritjes në detyrë apo transferimit të anëtarëve të KLD, sipas OSBE, këto dy veprime duhet të ndalohen jo vetëm gjatë periudhës së mandatit, por edhe për një periudhë tjetër kohe, prej një viti, pas mbarimit të mandatit.”Gjithashtu, për rastet e dorëheqjes mendojmë se ndalimi duhet të jetë vetëm për një vit pas dorëheqjes dhe jo për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit siç propozohet në projektligj.” shprehet OSBE .

Artikulli paraprakSISTEMI I RIVLERËSIMIT TË MJEKËVE ( Video )
Artikulli tjetërPAK NË PROTESTË