Një seancë maratonë pritet të jetë ajo së martës për miratimin e ligjit të vetingut.

Deputetet që do të diskutojnë për këtë ligj të kundërshtuar nga PD, do të jenë të shumtë. Vetëm nga Partia Socialiste kanë regjistruar emrin për të folur mbi këtë çështje 20 deputetë.  Ndërsa burime nga PD konfirmuan se numri i diskutantëve do të përcaktohet në mbledhjen e grupit parlamentar paraditen e së martës. Por për të përcaktuar direktivat dhe qendrimin që do të mbajnë ndaj amendamenteve të Partisë Demokratike për ligjin, kryeministri Rama do të mbledhë grupin e tij parlamentar të martën në orën 13. Seanca e jashtëzakonshme plenare për ligjin e vettingut do të nisë rreth orës 17:00, por burime nga të dy forcat konfirmojnë se ajo mund të zgjasë përtej mesnatës. Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka rinisur angazhimet në kuadër të miratimit të reformës në drejtësi. Ai ka zhvilluar një takim prej rreth 60 minutash me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, takim i cili është zhvilluar në selinë e PD-së. Ky takim vjen në një kohë që opozita ka depozituar në Kuvend amendamentet për ligjin e Vettingut. Ndërkohë, rreth orës 16:00 të pasdites së sotme, ambasadori Lu pritet të zhvillojë një takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Kujtojmë se ditën e nesërme (30 gusht) do të zhvillohet seanca për miratimin e ligjit të Vettingut, që ka të bëjë me krijimin e institucioneve të reja që do të jenë në krye të procesit të emërimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Artikulli paraprakHERA E FUNDIT QË DOLI NË SKENË NAILE HOXHA
Artikulli tjetërNJË PASDITE SHKODRANE DREJT SHIROKËS