Dy ligjvënës republikanë, partia e të cilëve merr në janar kontrollin e Dhomën e Përfaqësuesve, garantuan të dielën se Kongresi do të vazhdojë të mbështesë ushtarakisht Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Por thanë ata, do të ketë një shqyrtim më të madh të ndihmës, përpara se ajo t’i dërgohet Kievit. Ligjvënësit Michael McCaul dhe Mike Turner, me gjasë personat kyç që do të ngarkohen me detyrën e mbikëqyrjes së paketave të reja të ndihmës për Ukrainën, thanë për rrjetin televiziv amerikan ‘ABC’, se mbështetja e vazhdueshme dypartiake republikane e demokratike për Ukrainën, do të vazhdojë, pavarësisht zërave kundër që janë shfaqur në të dyja krahët e politikës.
Turner, i cili me gjasë do të drejtojë komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve tha se: “Do të sigurohemi që ata të marrin atë që u nevojitet e për këtë do të kemi mbështetje dypartiake”. McCaul, i cili pritet të kryesojë komisionin e Punëve të Jashtme të kësaj Dhome tha se: “Nëse ne u japim atyre (forcave ukrainase) atë që u nevojitet, ata do të fitojnë”. Por McCaul tha se do të kishte një ndryshim në procesin e shqyrtimit të ndihmës për Ukrainën në raport me atë çfarë ka ndodhur apo po ndodh ndërsa kjo Dhomë drejtohet nga demokratët. “Fakt është se ne do të ofrojmë më shumë mbikëqyrje, transparencë dhe llogaridhënie”, tha ai. “Ne nuk do të nënshkruajmë çeqe me shuma pa kufij”. Të shtunën Rusia goditi disa zona në Ukrainën lindore dhe jugore. Autoritetet ukrainase bënë të ditur se po vazhdojnë përpjekjet për të furnizuar me energji dhe ujë popullatën, pas sulmeve shkatërruese të javës së kaluar ndaj infrastrukturës energjitike të vendit. Disa ukrainas furnizohen vetëm disa orë në ditë me energji elektrike ndërsa të tjerë nuk kanë fare drita.
Por ‘Ukrenergo’, operatori shtetëror i rrjetit të energjisë, tha të dielën se prodhuesit e energjisë elektrike po përmbushin tashmë rreth 80% të kërkesës për energji.