“Fairytale”, versioni anglisht i këngës së Enenda Tarifës, e cila do të jetë përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovizion, ka vetëm dy ditë që është publikuar.
Pavarësisht se një pjesë e publikut e pëlqyen dhe e mbështetën, mes tyre pati edhe nga ata që e kontestuan fitoren e Enedës qysh në festivalin e fundvitit. Megjithatë, kolegët muzikantë mbetën jashtë gjykimit të vërtetë dhe i uruan suksese koleges së tyre, për herë të parë përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovizion. Por, Linda Halimi, edhe ajo pjesëmarrëse në festivalet e RTSH-së, ka reaguar sonte me një status, i cili duket se “godet” pikërisht përfaqësuesen tonë në festivalin europian të këngës. Kjo jo vetëm për shkak se këtë herë, ndryshe nga çdo status tjetër, Linda shkruan shqip, por edhe sepse flet veçanërisht për muzikën dhe zhanrin që na ka karakterizuar për vite me radhë në skenën e madhe të Eurovizionit:“Njerëzit janë lodhur nga këngët vajtuese, dramatike, britma! Jetojmë në një kohë ku duam ritëm, meqë na kanë mbytur hallet e jetës, dhe duam relaks, kënaqësi, të harrojmë hallet! Mjaft më me këngë depresive! U bëmë bajat, jo për gjë…! Sikur na ka ngec disku në replay! Mirë, kaq kisha. Shëndet për të gjithë”