Intervistoi: Kicki Pallin

Kicki Pallin pati rastin të fliste me Linda Ramën, bashkëshorten e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Linda Rama është mjaft e kufizuar kur bëhet fjalë për intervista dhe kjo ishte hera e parë në të cilën foli për jetën e saj të mëparshme gjatë regjimit komunist. Po kështu, ajo foli me ne edhe për “jetën jashtë dritave të prozhektorëve dhe kostumit zyrtar” – madje, edhe për të ardhmen e Shqipërisë.

Linda Rama ka një ndjenjë të fortë optimizmi për vendin e saj dhe beson vërtet se shqiptarët duhet ta ndjejnë këtë optimizëm për familjet dhe fëmijët e tyre. Ata janë përgjegjës për t’iu dhënë shpresë. Nuk mund të ecet përpara me frikë dhe ajo beson se frika është mënyra me të cilën drejton frikacaku. Por ne të gjithë kemi lindur në këtë botë me një ndjenjë shprese dhe optimizmi e na duhet ta mbajmë gjallë atë.

Linda Rama e luan rolin e bashkëshortes së Kryeministrit me dinjitet të mirëfilltë, hijeshi të spikatur dhe me një stil të natyrshëm. Në të njëjtën kohë, ajo është njësoj si të gjithë ne. Jemi vërtet entuziastë që ia prezantojmë atë një lexuesi të ri, në mënyrë që ta njohin sa më shumë njerëz dhe, për ata prej jush që tashmë e njohin, kjo do t’ju japë mundësinë të përditësoheni me atë çfarë ka bërë gjatë këtyre viteve të fundit për fuqizimin e grave dhe integrimin e tërinjve në vendin e saj. Ndaj, përgatituni për diçka që do ju lërë mbresë.

Si ka ndikuar edukimi juaj për të formëzuar atë çka jeni sot?
Vitet e mia i përkasin gjysma sistemit komunist, ku kaluan fëmijëria ime dhe shkollimi, përfshirë edhe punën time të parë në një ndërmarrje tipike socialiste, që shënoi kontaktin tim me praktikën e ekonomisë së ngurtësuar në plane të centralizuara; gjysma tjetër demokracisë, ku u përfshiva edhe unë në vorbullën e ndërrimit të dy botëve, si dëshmitare e historisë së një transformimi epokal.

Çfarë jete tjetër më interesante mund të kishte, sesa jeta e brezit tim, e ndarë në dy gjysma, në dukje nga larg si ajo shenja Yin&Yang, sa të ndryshme në shfaqje, aq te ngjashme, sa kundërshtuese aq komplementare! Kur bota e re, kishte saktësisht moshën e Reas, vajzës sime e cila ishte vetëm 2 vjeç, në vitin 1992, u largova jashtë vendit për më shumë se një vit për të kryer studimet master përgjatë një ballafaqimi dramatik me boshllëqet e mia. Një periudhë shoku i vërtetë akademik dhe kulturor dhe një hapësirë sa e jashtëzakonshme, aq edhe e frikshme reflektimi e uljeje në tokën e botës së dytë.

Shqipëria është një vend i vogël patriarkal– sa e rendësishme ka qenë vendlindja juaj për ju dhe si ka ndikuar ajo në jetën dhe karierën tuaj?
Po, Shqipëria është një vend i vogël, kurse patriarkalizmi është një fenomen që ka humbur gradualisht terren në realitetin social shqiptar falë betejave të gjata e të ndërlikuara emancipuese, të cilat zënë fill kryesisht në periudhën e luftës nacionalçlirimtare dhe atë të komunizmit. Komunizmi erdhi si një ëndërr magjepsëse e përfundoi si një makth mbytës, por gjithsesi në jetën e shqiptarëve ai u shfaq edhe me flamurin e emancipimit të gruas.

Të parat që e shfrytëzuan këtë përpjekje emancipuese ishin nënat, të cilat s’kanë dashur thjesht të trashëgojnë në paqe statusin social që kanë pasur vetë, por kanë nxitur që vajzat e tyre t’i kërkojnë më shumë të nesërmes. Gjithsesi, intensiteti i ngjarjeve që e ndanë historinë e Shqipërisë në dy botë të jetuara nga i njëjti brez, totalitarizmin komunist dhe demokracinë në formim, na bënë dëshmitarë të privilegjuar të një vendi që për nga transformimi dukej i madh sa vetë bota.

Si është e organizuar dita juaj? Si arrini të mbani në ekuilibër jetën tuaj personale me atë profesionale?
Të qenit grua është sekreti i vetëm i mundësisë për të mbajtur në balancë jetën profesionale me atë personale. Mendoj që çdo gruaje, natyra i ka dhënë cilësi të tilla që e bëjnë pikën më të fortë të ekuilibrit personal, familjar dhe shoqëror, duke i dhënë asaj pa dyshim medaljen e “heroinës të së përditshmes”, e cila e sheh të ardhmen, në radhë të parë përmes njerëzve për të cilët kujdeset, ndryshe nga burri që kujdeset për të ardhmen falë gruas që kujdeset edhe për të!

Ju jeni Shqiptare, ashtu si dhe Nenë Tereza. Keni patur një model gruaje në jetën tuaj dhe nëse po, cila është ajo?
Në jetën e çdo vajze, nëna dhe gjyshja janë modele të pazëvendësueshme, po edhe të pakonkurrueshme besoj. Janë hije pëshpëritëse në veshin tënd kur përpiqesh të ecësh përpara, prani vështrimesh të dashura që të ndjekin në çaste të bukura apo delikate, strehë e përhershme ku mund të tërhiqesh në çdo kohë për të marrë pak distancë nga lodhjet e zhurmat e të përditshmes.

Por, përtej nënës dhe gjyshes, qysh në fëmijërinë time dhe më tej kam hasur shumë gra të virtytshme, të pasura shpirtërisht, plot pasion për punën dhe me shumë dashuri për jetën, më së shumti protagoniste të heshtura, por shumë të dobishme për familjet e tyre dhe për shoqërinë. Ato pa dyshim janë një pikë tjetër e rëndësishme referimi për gjithçka përpiqem të jem.

Ne e admirojmë punën tuaj me shoqatat bamirëse dhe edukative. Me sa kemi kuptuar, një nga pasionet tuaja më të mëdha është fuqizimi i grave dhe të rinjve. Cilat janë tre këshillat për gratë dhe vajzat, të cilat janë dorëzuar në përpjekjet për të arritur endrrat e tyre?
Unë admiroj dhe i përulem me respekt kujtdo që në vitet e vështira të tranzicionit i është gjendur Shqipërisë dhe shqiptarëve për të përballuar sfida tejet të vështira. Kam parasysh këtu shqiptarët që emigruan në fillim të viteve ‘90 dhe më tej, të cilët fisnikërisht kanë ndarë me familjet e tyre të origjinës barrën e përballimit të jetesës, duke dhënë një

kontribut të vyer për shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Kam parasysh gjithashtu të gjithë taksapaguesit e huaj që nëpërmjet agjencive të tyre shtetërore të bashkëpunimit bilateral, organizatave humanitare dhe institucioneve të tjera kanë asistuar lehtësimin dhe zgjidhjen e dramave sociale përgjatë një tranzicioni të vështirë, si dhe kanë ndihmuar të gjitha aspektet zhvillimore. I gjithë ky vullnet dhe dashamirësi për t’iu gjendur një kombi në ditë të vështira të tij na bën të besojmë që në momente vështirësish është gjithnjë dikush me dëshirën për të të ndihmuar.

Nëse duhet t’i përgjigjem me doemos pyetjes tuaj me një recetë për gratë dhe vajzat në vështirësi, së pari do t’iu kërkoja ndjesë atyre dhe do t’iu lutesha që nëse qëllon të më lexojnë, të mos i marrin fjalët e mia si këshillat e dikujt që i jep atyre mend! Sepse ato kanë mençurinë e veçantë të vuajtjes së tyre dhe iu duhet vetëm një mundësi, një shans, një dorë e shtrirë, të cilën duhet ta kërkojnë me forcën e ëndrrës e të shpresës së tyre për ndryshim. Kam njohur një vajzë që ishte askushi dhe askush nuk e merrte seriozisht, kur ende adoleshente e bijë e një familjeje të zakonshme, thoshte që një ditë do të këndoj në La Scala! Ajo quhet Ermonela Jaho dhe arriti të këndojë në La Scala e të ngjitet në yjet e skenës operistike botërore, duke u nisur nga rrugica plot baltë e shtëpisë së saj, në Tiranën e zymtë të viteve ‘90.

Jeni një grua që keni arritur shumë në jetë, jeni edhe bashkëshortja e Kryeministrit të Shqipërisë, jeni e njohur dhe e admiruar nga shumë njerëz në Shqipëri dhe përtej. Si e shihni të ardhmen e gruas? A ka një tendencë më positive për më shumë të drejta dhe iniciativë të lirë?
Mendoj që përpjekjet e shekullit të fundit për të drejtat e gruas dhe barazinë gjinore, kanë dhënë rezultate që kanë shënjuar një rrugë pa kthim në drejtim të avancimit të gruas. Treguesit e përmirësuar të shkollimit të vajzave, janë një garanci e fortë për këtë. Sot ka shumë gra në botë, të cilat janë kampione të aktivizmit dhe të përfaqësimit gjinor, duke inspiruar dhe duke mundësuar shumëçka që deri dje dukej e pamundur për gruan.

Si mund të krijojmë më shumë barazi midis grave dhe burrave në botë, dhe si mund t’i ndihmojmë gratë që të ndjehen më të “vlefshme”?
Pas një rrugëtimi të gjatë, besoj se ne gratë i jemi ngjitur një mali, maja e të cilit deri dje dukej shumë larg, ndërsa sot nuk duket më… E prej këtu, ajo që duhet të bëjmë së bashku është të ecim, duke kombinuar pasionin me vetëdijen e çliruar nga frika e hezitimet, duke sfiduar të gjitha mundimet, në kërkim të majës, e cila është më afër se sa e mendojmë nëse iu besojmë syve që nuk e shohin!

Artikulli paraprak“DO IA FUS GISHTIN NË SY POLITIKËS”!PARALAJMËRON AKTORI: PRITET LUFTË
Artikulli tjetërNESËR SHTRËNGATA SHIU DHE ZJARRE, JA QARQET MË TË RREZIKUARA