Kuarteti diplomatik ndërkombëtar për paqen në Lindjen e Mesme ka ripërsëritur këtë të premte thirrjen ndaj Izraelit dhe Palestinës për të ndërmarrë hapat për rinisjen e procesit të ngecur të paqes.

Në takimin e zhvilluar përtej punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, diplomatët më të lartë të Bashkimit Europian, OKB-së, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nxitën palët që të rikrijojnë kushtet për rifillimin e negociatave “kuptimplota” drejt zgjidhjes dyshtetërore. Për izraelitët, kjo nënkupton ndaljen e ndërtimit të blloqeve të banimit në territorin e pretenduar nga palestinezët, ndërsa për këta të fundit, kjo nënkupton fundin e nxitjes së dhunës. Kryediplomatëve në fjalë iu bashkuan edhe ministrat e Jashtëm të Egjiptit dhe Francës, vende këto që kanë propozuar gjithashtu idetë e tyre për rifillimin e bisedimeve. Kuarteti bëri të ditur se të gjithë pjesëmarrësit janë rakorduar mbi rëndësinë e përpjekjeve të koordinuara të paqes. Në takimin e mëvonshëm në një hotel të Nju Jorkut, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu thanë se kishin rënë dakord për shqyrtimin e mundësive për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. “Ka ende gjëra, që ne besojmë se mund t’i arrijmë në muajt e ardhshëm, por ka edhe shqetësime serioze të përbashkëta mbi sigurinë në rajonin e Lindjes së Mesme”, tha Kerry. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault u shpreh se “perceptoi një zhvillim të ri dinamik” pasi u takua me udhëheqësit arabë dhe të tjerë të përfshirë në përpjekjet për paqe gjatë kësaj jave në Kombet e Bashkuara. Ayrault duket se po përpiqet të sigurojë mbështetje ndaj propozimit të Francës për të organizuar një konferencë ndërkombëtare përpara fundit të vitit, për t’u prezantuar izraelitëve dhe palestinezëve një paketë stimujsh, nëse ata arrijnë një marrëveshje për paqe midis tyre. Ai u shpreh se diplomatët kanë qenë të hapur ndaj kësaj ideje gjatë kësaj jave. “Rruga jonë, sjellja dhe metodat tona janë të kuptueshme dhe të vlerësueshme”, tha Ayrault në një konferencë për shtyp përpara takimit të kuartetit. Ai pranoi se ka shumë pak inkurajim në fjalimet e presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të dhëna një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Dy udhëheqësit prezantuan versione tejet të ndryshme të udhërrëfyesit drejt rifillimit të bisedimeve për paqe. Ayrault anashkaloi një pyetje në lidhje me pajtueshmërinë e udhëheqësve të Izraelit dhe Palestinës ndaj idesë për një takim deri në fund të vitit, duke thënë se “ka ende shumë punë për të bërë për të arritur deri në konferencën në fjalë”. Në fjalimin e tij, Abbas akuzoi Izraelin se “po vijon t’i shmanget” konferencës ndërkombëtare të propozuar nga Franca.

Artikulli paraprakSHBA, CRUZ HARRON OFENDIMET. MBËSHTET TRUMPIN PËR PRESIDENT
Artikulli tjetërDIETOLOGËT: MOS KONSUMONI MË BANANE NË MËNGJES