Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi një ditë pas takimit me ambasadorin e OSBE Bernd Borchardt në një postim në rrjetin social facebook ka lënë të nënkuptohet se ajo nuk do ta lirojë zyrën për t’i lënë vendin kryebashkiakut të ri socialist Valdrin Pjetri i cili doli nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Kryebashkiakja thotë se nuk do të ketë asnjë hap pas ndërsa Ademi hedh poshtë zërat se ambasadori i OSBE Borchardt në takimin e një ditë më parë prej dy orësh me radhë pa praninë e mediave ta ketë urdhëruar për të liruar zyrën pa rezistencë. Ja se çfarë shkruan kryebashkiakja në reagimin e saj bërë në facebook,.
“Asnjë hap pas! Shkodranët janë të vendosur të mbrojnë vlerat për të cilat i’u vunë përballë për 45 vite diktaturës. Shkodranët janë të bindur në rrugën e tyre për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë.
Shkodranët e kanë të qartë se rreziku vjen nga banda kriminale që ka uzurpuar parlamentin, qeverinë dhe po kërkon të pushtojë edhe qeverisjen vendore.
Asnjë hap pas! Shkodranët janë të vendosur të mbrojnë vlerat për të cilat i’u vunë përballë për 45 vite diktaturës. Shkodranët janë të bindur në rrugën e tyre për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë.
“30 qershori” ishte referendumi popullor që i tregoi klikës në pushtetin e uzurpuar se është pakicë, që i tregoi edhe mbarë botës se shumica e shqiptarëve refuzojnë partinë – shtet, monizmin pas 30 viteve pluralizëm.
Shkodra ia dha përgjigjen juntës anti- kushtetuese të Edi Ramës, me një braktisje të pashembullt, nga të majtë e të djathtë. Me gjithë manipulimet dhe terrorin mbi administratën shtetërore.
Shkodra është e shkodranëve dhe do të jetë gjithmonë e shkodranëve. Krimi qeveritar e ka marrë dhe do ta marrë çdo herë përgjigjen nga Shkodra e qytetarët e saj.
Shkodra nuk mund të lejojë të qeveriset nga banda e inkriminuar uzurpatore, 6 përqindëshat nuk do të mund marrin peng Shkodrën. Do të jetë rrugëtim jo i lehtë, por është e vetmja rrugë për të rikthyer vlerat tek të cilat besojnë shumica e shqiptarëve. Lufta me krimin shtetëror është e vështirë dhe ne shkodranët e dimë mirë! Me vendosmëri, sepse s’ka rrugë tjetër!”
Në 20 ose 21 gusht pritet që të bëhet konstituimi i këshillit të ri bashkiak të Shkodrës dhe kryetarit të ri Valdrin Pjetri por mesa duket kryebashkiakja aktuale në detyrë Voltana Ademi dhe partia demokratike e Shkodrës ashtu siç kanë deklaruar edhe më përpara do të bëjnë rezistencë për të mos e lejuar një gjë të tillë.
Në disa bashki të tjerë pavarësisht protestave kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit kanë nisur normalisht punën ndërsa pritet për t’u parë se çfarë do të ndodh në Shkodër.