Më 31 tetor të 2018-ës, Viktor Ymeri, i njohur me nofkën “Tori i Xhihanes”, iu rrëzua dënimi me “burgim të përjetshëm” për t’i caktuar 25 vite heqje lirie. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit në Durrës duke ndryshuar dënimin e dhënë ndaj Ymerit për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës, në qershor të vitit 1999.
Më 27 dhjetor të 2019-ës, Gjykata e Elbasanit, bazuar në vendimin e Apelit të Durrësit dhe duke llogaritur kohën që Viktor Ymeri kishte qëndruar në burg, vendosi për lirimin e tij. Ymerit i kishin mbetur edhe 1 muaj e 23 ditë për të qëndruar në qeli, por duke llogaritur edhe ditët që ai kishte punuar brenda burgut, u vendos për lirimin, ndonëse kjo kundërshtohej nga Prokuroria.
Në vendimin e Gjykatës, , thuhet: “Pretendimi i Prokurorisë se duhet të pritet që të shprehet Gjykata e Apelit nuk qëndron edhe për faktin se nëse do të pritej vendimi i kësaj gjykate çështja do të mbetej pa objekt. Bazuar në dinamikën e sjellë nga IEVP Peqin të dënuarit i ka mbetur për të vuajtur edhe 2 muaj e 2 ditë deri në dt 18.12.2019, pra në ditën e shqyrtimit të kësaj kërkese dt 27.12.2019 atij i ka mbetur për të vajtur edhe 1 muaj e 23 ditë në total.
Nëse do të pritet që të shprehet përtej afatit prej 1 muaj e 23 ditë, atëherë çështja do të mbetej pa objekt pasi ai do ishte liruar si pasojë e vuajtjes së dënimit në fakt. Në këtë mënyrë do të cënohej neni 6 i KEDNJ që është e drejta për një proces të rregullt gjyqësor duke mos i dhënë mundësi kërkuesit të ketë një vendim gjyqësor efektiv dhe të zbatueshëm për kërkesën e tij.”
Kush është “Tori i Xhihanes”
E shkuara e Viktor Ymerit është tejet problematike, kryesisht në qytetin e Vlorës. Ai njihej edhe për miqësinë e ngushtë që kishte me Gazmend Brakën, i njohur ndryshe si Gaxhai, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për të njëjtën ngjarje për të cilën Ymerit iu hoq burgimi i përjetshëm.
Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar me kallashnikov Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një grupi tjetër kriminal në Durrës. Ngjarja ndodhi në qershor të vitit 1999.
Por Viktor Ymeri raportohet të jetë edhe daja e Edision Harizaj.
Ky i fundit u ekzekutua në Durrës më 7 nëntor të 2018-ës, vetëm një javë pasi Ymeri kishte rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm.