Kjo është situata në pjesën fundore të kolektorit në hyrje të Shkodrës. Grupet e punës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Shkodër dhe Ujësjellës Kanalizime janë përqendruar edhe në këtë pikë për hapjen e plotë të kolektorit që zgjidh një problematikë të mbartur të shkarkimit të ujërave të shiut të qytetit. Për të parë nga afër situatën ka qënë vetë Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci i cili u shpreh se kjo situatë është e papranueshme për një qytet si Shkodra.
Prej thuajse dy javësh, grupet e Bashkisë Shkodër janë në terren dhe po vijojnë punën për zhbllokimin e plotë të kanalit të kolektorit kryesor të qytetit të Shkodrës që krijonte probleme sa herë kishte reshje shiu. Deri tani janë zhbllokuar disa prej pikave më problematike ndërkohë që ka pasur një bashkëpunim edhe me komunitetin e banorëve të cilët janë bërë pjesë e kësaj nderhyrje masive për lirimin e kolektorit të Draçinit.