Ibrahim Lici është liruar nga autoritetet turke. Pasi u arrestua më 13 shkurt në një lagje të Stambollit pas shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj turke, Lici ka lënë qelinë duke qenë sërish i lirë. Pas një muaji e gjysëm qëndrimi në qeli Lici ka rifituar lirinë. Autoritetet shqiptare dërguan në Turqi një dosje me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë por duket se provat nuk kanë bindur shtetin turk për ta mbajtur në paraburgim dhe për të bërë ekstradimin e Licit drejt vendit tonë. Ibrahim Lici është i dyshuar në Shqipëri për një vrasje dhe vijon që të jetë në kërkim. Seanca në shtetin turk u mbajt dy ditë më parë në Stamboll. Aty gjykata turke ka vendosur lirimin nga qelia të Ibrahim Licit dhe masën shtrënguese ndaj tij për të mos dalë nga territori turk deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Për gjithë këtë proces pala shqiptare nuk është informuar pavarësisht se procedurat e ekstradimit kishin nisur. Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje ekstradimi me vetëm 5 shtete SHBA, Angli, Itali, Spanjë dhe Kosovë ndërsa në rastet e tjera përfshin këtu edhe Turqinë vepron sipas ligjit për marrëveshjet juridiksionale me autoritetet e huaja për çështjet penale.