Lirohet nga akuzat për korrupsion, prokurori kërkon dëmshpërblim
Prokurori Petrit Vukaj, i akuzuar që prej vitit 2015 për korrupsion, pas pafajësisë që i dha Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i kërkon drejtësisë ta dëmshpërblejë për çdo ditë të mbajtjes së tij në paraburgim. Me një kërkesë-padi, prokurori i Fierit i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës, duke paditur Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Ministrinë e Financave kërkon dëmshpërblim financiar. Vukaj thotë në padinë e tij se, meqënëse jam deklaruar i pafajshem kërkoj të kompensohet burgimi i padrejtë, ndërkohë që i kujton Gjyjkatës Administrative se ka qëndruar në arrest shtëpie 321 dite, ndërsa 16 ditë të tjera është mbajtur në ambjentet e paraburgimit me masën “arrest me burg”. Prokurori i Fierit u gjykua nga Krimet e Rënda pas pretendimeve të organit të akuzës që këmbënguli se ai ishte paguar 300 mijë lekë nga tre të dyshuar për të ulur dënimin ndaj Elton Xhemollarit, i arrestuar për aksident me pasojë vdekjen. Shkalla e parë e gjeti atë fajtor dhe e dënoi me 3 vjet shërbim prove, ndërkohë që Apeli shpalli pafajësinë pasi nuk e gjeti të bazuar në prova qëndrimin kundër prokurorit Vukaj.