Ministrja e pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Mirjana Jevtiç, ka dhënë dorëheqje të enjten dhe për vendimin e saj ka njoftuar Listën Serbe, i ka thënë Radios Evropa e Lirë kryetari i Listës, Sllavko Simiç.

Ai tha se me vendimin e dorëheqjes se ministres Jevtiq e ka njoftuar kryeministrin Mustafa, një gjë të cilën sipas tij e ka bërë edhe vet ministrja Jevtiç. Kabineti i kryeministrit ende nuk ka dhënë një sqarim për çështjen e dorëheqjes. Dorëheqja e ministres Jevtiç, pasoi vendimin e Listës Serbe që sërish ta ngrijë pjesëmarrjen e saj në institucionet e Kosovës dhe pas një takimi në Beograd të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, kur u ritheksua, siç u tha, “lidhja e ngushtë e me kryeminstrin serb”. Mirjana Jevtiç, që ka kryer detyrën e zëvendës ministres së punës dhe mirëqenies sociale, u emërua nga kryeministri Mustafa në detyrën e ministres së pushtetit lokal, afro dy javë më parë, pas shkarkimit të ministrit, atëbotë, Lubomir Mariç me arsyetimin e “sjelljes në kundërshtim me funksionin në qeverinë e Kosovës”. Vendimi i kryeministrit Mustafa për shkarkimin e Mariçit dhe emërimin e Jevtiçit, u tha se u krye në pajtueshmëri me udhëheqësit e Listës Serbe, të cilët edhe e kanë mbështetur një veprim të tillë. Gjashtë deputetë të Listës Serbe, me në krye shefin e grupit parlamentar u rikthyen ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, pas bojkotit prej dy muajsh për shkak të pakënaqësisë me miratimin e ligjit për Trepcën dhe Ligjit për investime strategjike, duke theksuar se “me këtë hap duan të mbrojnë interesat e popullit serb në Kosovë”. Rikthimi i tyre shkaktoi përçarje brenda vetë spektrit politik serb dhe ngriti akuzat, për siç u tha, “patriot dhe tradhtarë” ndërmjet partive në koalicion në Serbi. Ishte kryeministri serb Vuçiq që zhvilloi takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për t’i bindur, siç u tha, “të punojnë së bashku” duke “kërkuar largimin nga institucionet e Kosovës” dhe “krijimin e shpejt të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Artikulli paraprakPARIS, REKORD I NDOTJES
Artikulli tjetërTAHIRI: SERBIA PO CENON DIALOGUN PËR FQINJËSI TË MIRË