Parlamenti i Lituanisë miratoi të martën një rezolutë që e shpall pushtimin rus të Ukrainës një “gjenocid” dhe Rusinë, autore të terrorizmit.
Në rezolutë, Parlamenti i Lituanisë, njohu agresionin e armatosur në shkallë të plotë, pra luftën kundër Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse dhe udhëheqja e saj politike dhe ushtarake, si gjenocid kundër popullit ukrainas.
E miratuar unanimisht, rezoluta akuzon forcat ushtarake ruse për shënjestrim të qëllimshëm dhe sistematik të objektivave civile, duke e shpallur Rusinë një shtet që mbështet dhe kryen terrorizmin.
Parlamenti bëri thirrje gjithashtu për krijimin e një gjykate ndërkombëtare për të hetuar krimet e dyshuara të luftës ruse në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis i tha CNN të martën se vendimi është një njohje e realitetit dhe “i jep shtysë për hetime të mëtejshme ligjore mbi situatën”.
Në reagimin e tij të parë ndaj kalimit unanim të rezolutës, Landsbergis tha se përcaktimet duhet të ndiqen nga hetime, të tilla si ato që kryhen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
“Ne nuk kemi parë asgjë të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore, kështu që kjo mund t’i japë shpejtësi shtesë hetimit dhe burimeve që ata kërkojnë, sepse veçanërisht ata kanë aq para sa ofrojnë vendet dhe po aq hetues sa vendet ofrojnë,” tha Landsbergis, i cili vuri në dukje se Lituania ishte një nga vendet e para që u dha ndihmë financiare hetuesve.
“Ne kemi arsye të qarta për ta quajtur këtë një akt gjenocidi. Putin deklaroi qartë se ai nuk beson se Ukraina ka të drejtë të ekzistojë si një vend dhe ai po përpiqet të provojë qëndrimin e tij duke vrarë në thelb qytete të tëra civile plot me civilë”, tha Landsbergis.
Landsbergis tha se komuniteti ndërkombëtar jo vetëm që duhet të punojë për të forcuar mekanizmat që synojnë përgjegjësinë për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, por ndoshta të kërkojë të reja sepse Rusia me të vërtetë e ndryshoi realitetin me sulmin e saj ndaj Ukrainës.
“Ne kishim besim se pas Luftës së Dytë Botërore, ndërtuam mekanizmin që duhet të fuqizojë këtë koncept ‘kurrë më’. Është e qartë se mekanizmat nuk ishin të mjaftueshëm. Dhe kështu ne me të vërtetë duhet tani të fillojmë të punojmë për forcimin e këtyre mekanizmave. Mendoj se ne jo vetëm duhet të forcojmë atë që kemi ndërtuar, por ndoshta edhe të kërkojmë mekanizma të rinj dhe instrumente të reja që vërtet do të na lejojnë edhe një herë të themi se kjo ishte hera e fundit”, tha ai për CNN.