Llalla dhe 3 ministra nxjerrin udhëzim të ri për kanabisin
Pas përplasjeve mes Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, 4 institucione në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë nxjerrë një udhëzim të ri për asgjësimin e kanabisit. Syri.net mëson se ky udhëzim është nxjerrë nga kryeprokurori Adriatik Llalla, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Mjedisit. Sipas këtij udhëzimi, kanabisi nuk do të asgjësohet në vend me djegie sikurse ka bërë deri tani policia. Bimët narkotike që do të gjenden, do të sekuestrohen dhe do të vendosë Gjykata se çfarë do të bëhet me drogë. Gjithashtu, në rastet kur kanabisi do të asgjësohet me djegie, ky proces do të bëhet në magazinën e Qendrës së Furnizimit Materialo-Teknik në zonën e Mulletit në Tiranë. Policia do të jetë e detyruar të presë prokurorin dhe asgjësimi do të bëhet në prani të tij. Pak muaj më parë, nga kryeprokurori Llalla pati akuza se në shumë raste kanabisi i gjetur asgjësohet nga policia pa prani të prokurorit sikurse e parashikon ligji.