Koncensionari dhe kontraktori i zgjedhur nga kompania kineze për sigurinë e aeroportit kanë dështuar në punën e tyre, tha ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj në një konferencë për mediat një ditë pas grabitjes së bujshme brenda në pistën e avionëve të aeroportit të Rinasit.
Udhëtarët paguajnë nga 3 euro për sigurinë, dhe vetëm kjo do të kishte mjaftuar që situata të ishte ndryshe tha Lleshaj. Koncensionari i ka refuzuar kërkesat e Policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë, por as nuk ka denjuar – tha ministri – që të kthejë përgjigje.
Ministri foli për një marrëdhënie të vështire me kompaninë koncensionare në aeroportin e Rinasit, duke thënë se autoritetet ligjore do të marrin masa.
Lleshaj tha se ishte reagimi i shpejtë i Policisë së Shtetit që tashmë në duar të autoriteteve janë një sërë provash që mund të cojnë drejt zbardhjes së grupit të grabitësve.
Faldenderimet Lleshaj i kishte për qytetarët, bashkëpunimin dhe besimin tek Policia e Shtetit, ndërsa nuk la pa shprehur mllef ndaj politikës që lëshon akuza. Në përfundim të deklaratës, ministri Sandër Lleshaj garantoi udhëtarët se siguria e tyre në aeroport nuk do të cënohet.
“Nuk janë përmbushur përgjegjësitë e kompanisë kineze të aeroportit. Kompania kineze dështoi. Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij nuk zbatuan standardet e detyrueshme që përcaktohen nga legjislacioni me gjithë se kanë arkëtuar 3 euro për cdo pasagjer që ka dalë nga ky aeroport.
Do të kishte mjaftuar kjo sasi për të garantuar perimetrin e jashtëm, që është hapur dhe për më keq, koncesionari nuk ka arritur që të sinjalizojë policinë.
Koncesionari jo vetëm që ka refuzuar kërkesat e policisë për marrjen e masave, por në shumë raste nuk ka kthyer edhe përgjigje për korrespodencën zyrtare.
Nisur nga incidenti dhe marrëdhëniet e vështira me koncesionarin, Shqipëria do të marrë masa ligjore të forta për të garantuar të gjitha standardet në Rinas. Siguria e jetës dhe pronës prevalojnë.
Me masat e reja garantohet një nivel i ri sigurie dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sa i përket dinamikës, dua të them se autorët kanë lënë në dorë të hetimit prova të shumta.
Falë reagimit të shpejtë, banda që besohet se edhe më parë ka goditur vlerat monetare në Rinas, pas humbjes së djeshme të një anëtari të saj ka marrë një goditje shkatërruese.
Shkatërrimi i këtij grupi është një tjetër sinjal ndaj botës së krimit. Jemi të angazhuar për të neutralizuar cdo tentativë që cënon sigurinë. Shpreh keqardhje që segmente të politikës u rreshtuan kundër policisë dhe akuzuan, kur pritej përkrahja e cdo grupi politik.
Siguroj qytetarët që përdorin aeroportin, se siguria është plotësisht e garantuar” tha ai.