Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njofton se në Milot është ngritur Qendra Operacionale për menaxhimin e situatës së krijuar pas tërmetit në Qarkun e Lezhës. Lleshaj shkruan se përfaqësuesi I Prefekturës është përgjegjësi kryesor i kësaj qendre e cila sipas ministrit, do të shërbejë për grumbullimin e gjithë informacionit të problematikave.
“Në Milot u ngrit Qendra Operacionale për menaxhimin e situatës së krijuar pas tërmetit, në qarkun Lezhë. Përfaqësuesi i Prefekturës është përgjegjësi kryesor dhe kjo Qendër do të shërbejë për grumbullimin e gjithë informacionit e problematikave, me qëllim koordinimin e veprimeve për zgjidhjen në kohë të tyre.
Në Qendrën Operacionale janë anëtarë nga të gjitha institucionet shtetërore, Bashkitë, Policia, Shëndetësia, Arsimi, Zjarrfikëset. Një kënd i posaçëm do të jetë në dispozicion të gjithë organizatave apo aktorëve të tjerë vendas dhe të huaj që do të bashkohen në aksionet e përbashkëta. Qendra do të funksionojë 24/24 dhe do të drejtojë dhe koordinojë gjithë veprimtaritë në funksion të menaxhimit të emergjencës në Qarkun e Lezhës” thotë Lleshaj.