Policia e Shtetit është lënë e vetme në luftën përballë krimit dhe kontrollin e territorit për të ofruar rend dhe siguri. Është ky konstatimi i Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i cili në strategjinë ndërsektoriale për sigurinë në komunitet për 5 vitet e ardhshme kërkon angazhimin e 61 kryebashkiakëve në këtë sfidë e cila nis nga kanabisi, krimet mjedisore, krimet ndaj pronës jetës, e deri tek dhuna.

Ndër risitë e kësaj strategjije janë futja e teknologjisë së patrullimeve me dron, angazhimin e strukturës së policisë bashkiake si dhe zyra policie në çdo bashki për kordinimin e kontroll të territorit. Në dokumentin për strategjinë e sigurisë për vitin 2021-2026 theksohet se pushteti lokal neglizhon kryerjen e detyrave duke e lënë vetëm policinë. “Strukturat vendore të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe të ndara në të gjithë territorin dhe ushtrojnë përgjegjësitë e tyre funksionale dhe realizojnë detyra në kontrollin e territorit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe të paligjshmërisë në territor, por aktorët e tjerë vendorë që kanë detyrime për kontrollin e territorit, nuk ushtrojnë përgjegjësitë që i ngarkon ligji ose i ushtrojnë ato në nivele minimale”, thuhet në raport.

Më tej ky raport kërkon nga kryetarët e pushtetit lokal dhe 61 bashkive në vend angazhim konkret. “Kryetarët e bashkive, njësive administrative nuk duhet të jenë partnerë pasivë në këtë proces, ata duhet të udhëzojnë zgjerimin e kësaj lëvizje drejt “qeverisë së orientuar nga komuniteti” në nivelin vendor. Koordinimi dhe bashkëpunimi me organizatat, forumet dhe institucionet joqeveritare konsiderohet si shumë i rëndësishëm, pasi përfshirja e tyre do të  kontibuojë në sigurinë e komunitetit“, vijon raporti.

Ndalur tek roli i Policisë Bashkiake strategjia e firmosur nga ministri Lleshaj thotë “Krijimi i një fondi të vecantë për sigurinë në komunitet. Planifikimi i buxhetit bashkiak për çështje që lidhen me sigurinë dhe rendin në komunitete përfshirë çështje që lidhen me emergjencat civile. Vendosja e pajisjeve monitoruese teknologjike nga institucionet vendore, për të ndihmuar në identifikimin dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe qytetarëve me rrezikshmëri shoqërore në bashkërendim me Policinë e Shtetit, nën konceptin e Smart Cities”. Policimi në komunitet nuk do të jetë me një funksion që do të kryhet nga polici i zonës i cili kryen edhe arrestime, kontrolle banesash apo operacione por sipas këtij dokumneti do të jetë një strukturë e veçantë e mirëpaguar dhe e pajisur me mjete e uniformë të dedikuar.

Artikulli paraprakVLLAZNIA-BYLIS, PERFUNDON ME REZULTATIN 0-0 PJESA E PARE E NDESHJES
Artikulli tjetërTËRMET 4.1 BALLË, QYTETARËT TË SHQETËSUAR