Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se Reforma në Drejtësi mund të japë rezultate vetëm kur Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, t’i përgjigjen cilësisht luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik.

“Një javë para se rreth 30 të rinj e të reja, të nisnin Kursin e dytë për Oficerë të Policisë Kriminale, u diplomua grupi me 36 vetë që mbaroi Kursin e parë me rezultate të larta. Ata i bashkohen trupës, në ripërtëritje të Policisë së Shtetit, për të rritur kapacitetet hetimore dhe forcën goditëse kundër paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Bisedova me oficerët, pjesë e Gjeneratës së re të Policisë, dhe ajo që më ra në sy, ishte motivimi dhe vullneti për t’i shërbyer atdheut, përmes integritetit të lartë dhe profesionalizmit të shtuar në katedrat e Fakultetit të Hetimit të Krimit, në Akademinë e Sigurisë.

Interesi i lartë i të rinjve në çdo thirrje publike që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë, dëshmon se trupa policore mbetet një ndër institucionet më të besuara në vend. E kur çdo punonjës zotëron cilësi të larta profesionale e integritet personal, edhe organizata që përfaqësojnë bëhet më dinamike dhe e motivuar.

Reforma në Drejtësi, që sot është në fazën finale, mund të japë rezultatet që presin të gjithë, vetëm kur Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, t’i përgjigjen cilësisht luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik” tha ai.

Artikulli paraprakNUK E KENI PLOTËSUAR LOTARINË AMERIKANE? JENI AKOMA NË KOHË, PASDITE MBYLLET AFATI
Artikulli tjetërATENTATI NDAJ PROKURORIT ARJAN NDOJA/ FNSH DHE RENEA AKSION ‘BLIC’ NË 5 QYTETE, SHOQËROHEN 14 PERSONA! NJË I NDALUAR