Afati Kushtetues i presidentit Ilir Meta për të dekretuar Sandër Lleshajn ministër të Brendshëm, përfundon sot. Kreu i shtetit duhet të vendosë këtë të premte nëse do të dekretojë ose jo propozimin e kryeministrit për pasues të Fatmir Xhafajt.
Një javë më parë kryeministri Edi Rama i ridërgoi presidentit emrin e Lleshajt, pasi më herët Meta kishte refuzuar ta dekretonte pasi nuk kishte krijuar ende bindjen e plotë.
Pas ripropozimit të Ramës, presidenti Meta rinisi konsultimet me institucionet, ndërsa në një letër drejtuar kryeministrit, ministres së Mbrojtjes dhe kryetarit të Kuvendit, rendiste 14 pyetje për Sandër Lleshajn, duke këmbëngulur te statusi dhe karriera prej ushtaraku.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e ka përfunduar dosjen për Lleshajn, duke i dorëzuar presidentit përgjigjet e kërkuara.
Ndërsa përmes një letre drejtuar Metës të hënën, Sandër Lleshaj shprehej se hiqte dorë nga karriera ushtarake dhe grada gjeneral.
Për kryeministrin Edi Rama, presidenti ka dy rrugë për të mbërritur te dekreti i Lleshajt, ndërsa u shpreh i bindur se kreu i shtetit do hedhë firmën mbi propozimin e tij për të bërë vendin me ministër të Brendshëm.
Aktualisht, Sandër Lleshaj është i komanduar si ministër.