Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti sot homologun turk Süleyman Soylu. Kjo vizitë zyrtare e ministrit turk, pason takimin që dy ministrat patën në Ankara disa muaj më parë. Bisedimet u fokusuan mbi mundësitë, për rritjen e bashkëpunimit në funksion të sigurisë publike.

Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të ministrit të brendshëm Lleshaj, ministri turk Soylu e cilësoi Shqipërinë si një vend mik dhe marrëdhëniet historike e rrënjësore si të shkëlqyera, me mundësi për t’i çuar përpara.

“Shqipëria është një nga vendet e rajonit, me të cilën Turqia bashkëpunon më së shumti”, – u shpreh Soylu, duke pohuar se ka disa bashkëpunime funksionale që uroi të jenë të vazhdueshme.

Gjatë takimit u trajtuan fushat ku do të ndalet e kërkohet të thellohet bashkëpunimi, mes dy ministrive të Brendshme e Policive përkatëse. Ky bashkëpunim synohet të thellohet mes dy Akademive të Sigurisë, në fushën e luftës kundër krimit ekonomik e financiar, trajnimi i personelit policor, pajisjet për Policinë e Shtetit, si dhe ekspertiza për sistemin e menaxhimit doganor shqiptar.

Ministri Lleshaj veçoi si prioritar bashkëpunimin për luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, trajnimet e efektivëve dhe pajisjet policore.

Dy ministrat e Brendshëm vizituan më pas, Repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në Tiranë, ku pati një prezantim të shkurtër të punës dhe rezultateve të kësaj force, si dhe u panë nga afër ambientet e trajnimit dhe stërvitjes së tyre.

Artikulli paraprakRAMA NË PORTIN E DURRËSIT: TERMINALI I KROÇERAVE DO TË BËJË NDRYSHIM HISTORIK
Artikulli tjetërDEMOKRATËT S’LIROJNË BASHKITË, BRAÇE: PËR ÇDO IDIOT…JENI FANTAZMA, BOLL MË, TANI MERRUNI ME LULIN