Prej datës 10 nëntor të 2021 llogaritë bankare të Federatës Shqiptare të Futbollit vijojnë të jenë të bllokuara. Më datën 12 janar ishte parashikuar që të zhvillohej seanca e tretë gjyqësore mes FSHF-së dhe Përmbaruesit, por u shty për shkak se ekspertja rezultoi e infektuar me COVID-19.
Ndërkohë bëhet me dije se gjykata ka marrë ekspertë për të verifikuar çështjen. Mësohet se me datë 25 janar do zhvillohet seanca tjetër ku ekspertja do të marrë detyra dhe do shkojë pranë klubit të Tiranës apo FSHF-së për të verifikuar çështjen dhe më pas do të caktohen edhe seanca të tjera.
Llogaritë bankarë të FSHF-së vijojnë të jenë të bllokuara për shumën që ka detyrim klubi i Tiranës deri në përfundim të çështjes. Dosja e plotë ndodhet në prokurori dhe hetimet janë baznuar në transaksionet e dyshimta që janë kryer nga FSHF-ja përkundrejt klubit të Tiranës.
Federatës Shqiptare të Futbollit i janë bllokuar llogaritë bankare me dyshimin se i ka dërguar lekët e UEFA-s në llogari të tjera të klubit Tirana për të shmangur që paratë t’i marrë përmbaruese privat duke qenë se llogaritë zyrtare të Tiranës janë të bllokuara pas humbjes së një gjyqi.
Përmbarimi i thotë FSHF se 1 mln euro që do i kalojnë Klubit të Tiranës nga UEFA pasi kaloi dy ture në Champions dhe arriti deri në “play off” të Ligës së Europës dy vite më parë, një pjesë e tyre, mbi 60 milionë lekë duhet të shkojnë në llogaritë e përmbaruesit privat Engjëll Muskaj, i cili është i ngarkuar të zbatojë vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit lidhur me gjyqin që klubi i Tiranës ka pasur me ish-presidentin e ndjerë Metush Seferi.
Sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës, Klubi Tirana i detyrohet Metush Seferit mbi 60 milionë lekë.
FSHF si palë e tretë e ka detyrimin që këtë shumë prej mbi 60 mln lekësh, pjesë e parave të marra nga UEFA të mos ia kalojë Klubit Tirana, por përmbaruesit. FSHF nuk e ka zbatuar këtë kërkesë, dhe paratë nuk i ka kaluar as Klubit Tirana pasi i ka llogaritë e bllokuara me vendim gjykate, por i ka kaluar në llogari të ndryshme të familjes së presidentit Refik Halili, duke ndjekur një rrugë antiligjore dhe bërë një skandal.