Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe organizatorët japonezë kanë vendosur që të ndalojnë spektatorët në Lojrat Olimpike të Tokios, pas rasteve në rritje të koronavirusit në Japoni. Prej kohësh organizatorët kanë thënë se do të vijojnë me përgatitjet, ndërsa ekspertët thonë se duhet kujdes i lartë pasi varianti “Delta” i koronavirusit po dominon në Japoni.
Flaka e pishtarit olimpik të Tokios vijon të lëvizë, por në rrugë nuk ka asnjë spektator, ndërsa po bëhen përgatitjet e fundit për datën 23 korrik kur nisin Lojrat Olimpike.
Eric Feigl Ding është një epidemiolog dhe bashkëpunëtor i vjetër në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë. Ai i tha Zërit të Amerikës se varianti “Delta” i koronavirusit është një shqetësim i madh për Lojrat Olimpike të Tokios.
“Virusi, specifikisht varianti Delta, është kërcënimi më i madh me të cilin jemi përballur gjatë kësaj pandemie. Përhapet më shpejt, është më i fortë. Motoja olimpike ‘më shpejt, më lart, më i fortë’ vlen vërtet për variantin delta”, thotë epidemiologu Eric Feigl-Ding.
Komiteti Ndërkombëtar Olimpik thotë se motoja “më shpejt, më lart, më i fortë”, janë fjalë që inkurajojnë atletët të japin më të mirën e tyre. Por në rastin e koronavirusit, këto fjalë marrin një kuptim tjetër, e sidomos pas rasteve të shumta më virusin që janë regjistruar në Japoni këtë muaj.
Presidenti i Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, Thomas Bach thotë se mungesa e spektatorëve ndryshon kuptimin e Lojërave.
“Ne të gjithë pendohemi për këtë vendim që nuk kemi spektatorë, por akoma më shumë për atletët, të cilët nuk do të jenë në gjendje të shijojnë atmosferën olimpike. Por atletët duhet ta dinë se miliarda njerëz nga e gjithë bota janë me ta në zemrat e tyre, se ata po i mbështesin”, thotë Thomas Bach, President i IOC.
Por ndërsa Presidenti i Komiteti Ndërkombëtar Olimpik thotë se atletët do të ndajnë momente të veçanta me audiencat televizive, epidemiologu Feigl-Ding thotë se kujdes duhet të ketë jo vetëm gjatë zhvillimit të Lojrave Olimpike, por edhe pas tyre.
“Unë do t’u thoja organizatorëve se u takon atyre të mendojnë se lojërat nuk janë vetëm një festë duke mbledhur njerëz në emër të sportit, por gjithashtu bashkimi i njerëzve të bëhet në mënyrë të sigurt”, thotë ai.
Në Tokio është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, e cila do të zgjasë gjatë gjithë Lojërave Olimpike. Japonia është pas me vaksinimet. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, vetëm një e katërta e popullsisë së vendit ka marrë dozën e parë të vaksinës.
Lojërat Olimpike të Tokios ishin planifikuar për korrikun dhe gushtin e vitit të kaluar, por organizatorët dhe kryeministri i atëhershëm Shinzo Abe vendosën t’i shtyjnë për një vit, ndërsa pandemia e koronavirusit filloi të përhapej në të gjithë botën.//VOA