Për herë të parë në histori Londra bëhet një qytet më i dhunshëm se New Yorku, shkruan tgcom.
Që nga fillimi i vitit janë kryer 30 vrasje në kryeqytetin britanik, i fundit para tre ditesh.
Numër i frikshëm konsiderohet fakti që në Shkurt në Londër janë vrarë 15 vetë, ndërsa në New York 14 persona. Vetëm në javën nga 14 në 20 mars, kanë humbur jetën plot 8 persona, të gjithë nën 30 vjeç.
Viktima e fundit, një djalë vetëm 20 vjeç, u qëllua me thikë për vdekje jashtë një lokali në një lagje në jug-perëndim të kryeqytetit.
Sipas ekspertëve, në krahasim me popullsinë (rreth 8 milionë njerëz), New Yorku ka arritur të ulë aktet kriminale me anë të “tolerancës zero” nga ana e policisë: 20 vitet e fundit, vrasjet janë ulur nga 2 mijë në 230 në vit.
Përsa i përket Londrës, nuk janë shtuar vetëm vrasjet, por edhe rreziku i grabitjes së shtëpive, i cili është 6 herë më i lartë sesa në metropolin amerikan dhe dhuna seksuale është 3 herë më e lartë.
Administrata londineze ka provuar të sigurojë qytetarët se Londra “është një ndër qytetet më të sigurta në botë”.
Gjithashtu, policia e kryeqytetit britanik, ka bërë të ditur shpërndarjen e 100 agjentëve të tjerë policorë për të “luftuar” krimet.