NGA SEZONI I ARDHSHËM ME SHUMË GJASA NUK DO TË JETË MË PJESË E LAZIOS. Lorik Cana që nga sezoni i ardhshëm me shumë gjasa nuk do të jetë më pjesë e Lazios. Kapiteni i kombëtares sonë mbylli një sezon me probleme tek bardhekaltërit edhe për shkak dëmtimesh. Mësohet nga mediat italiane se destinacioni i 32-vjeçarit shqiptar mund të jetë Olimpiku i Marsejës ose Schalke 04.
Cana ka provuar edhe në të shkuarën të veshë me sukses fanellën e klubit francez dhe rikthimi në Francë do të ishte i mirëpritur, por në krahun tjetër mbrojtësi kuqezi dëshiron të provojë një eksperiencë të re në Bundesligë, për shkak të atmosferës së jashtëzakonshme që krijohet në stadiumet gjermane. Lorik Cana mbërriti në Romë në vitin 2011 nga radhët e Gallatasarajit, ku nuk kaloi një periudhë të gëzueshme. Në këto 3 sezone me Lazion kapiteni i Shqipërisë ka zhvilluar 82 ndeshje duke shënuar edhe dy gola.