Stadiumi i Shkodrës “Loro Boriçi” është i gatshëm për të pritur ndeshjet e Vllaznisë.
Pas përballjes së kombëtares me Izraelin pritet që takimi mes kuqebluve dhe Partizanit të luhet në stadium në të cilin ka një përmirësim të fushës pas punimeve të bëra këto ditë. Punimet e bëra në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi” kohët e fundit e kanë sjellë atë në një gjendje më të mire. Sigurisht, shkodranët janë të mërzitur për spostimin e ndeshjes Shqipëri-Izrael në Elbasan, gjithsesi për ta, lajmi i mirë është se ndeshjet e Vllaznisë tashmë do t’i shohin të luhen në “Loro Boriçi”. Konfirmimi mësohet të ketë ardhur nga vetë krerët e lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët, kanë kërkuar ndjesë edhe për spostimin e ndeshjeve të këtij ekipi në “Reshit Rusi”, ngaqë objektivi ka qenë i fokusuar te takimi kualifikues me Izraelin. Por, tashmë që ky takim nuk do të luhet më aty, “Loro Boriçi” nuk mund të mbetet “peng” i kombëtares. Është e sigurtë që takimi Vllaznia-Partizani, i vlefshëm për javën e 11-të të Superligës, do të luhet në këtë stadium, në kushte më të mira, në një tapet të rigjeneruar. Drejtuesit e klubit shkodran kanë vendosur që edhe ndeshjen e Kupës, të mërkurën, ndaj Kamzës, ta luajnë në “Reshit Rusi” dhe fundjavën tjetër të spostohen në këtë impiant modern, duke shpresuar në një mbështetje të madhe të tifozëve të tyre, për më tepër që kemi të bëjmë me një ndeshje të rëndësishme, siç është ajo me Partizanin. Edhe tifozët kryeqytetas do të kenë mundësinë të shijojnë komoditetin e një stadiumi me parametra europianë, në pritje të stadiumit të tyre, që do të jetë goxha më i vogël, por një “shtëpi” dinjitoze për 15 herë kampionët e vendit.