Për tetor nuk u bë gati, por ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit mendon që stadiumi “Loro Boriçi” do të përfundojë në muajin nëntor. Për këtë arsye, edhe për ta testuar atë, mendohet që pikërisht për të bërë inagurimin e tij të zhvillohet një ndeshje ndërkombëtare mes Vllaznisë dhe një ekipi të huaj me emër. Kjo është ideja paraprake e asaj çfarë dëgjohet në ambientet e këtij impianti sportiv ku punohet. Megjithatë, asgjë nuk është zyrtare.
Edhe ngaqë askush nuk komunikon asgjë. Idea kjo është: Vllaznia të luajë në nëntor ndaj një ekip ballkanas, por pse jo, edhe ndonjë ekipi italian, pikërisht në momentet e ndërprerjes së kampionateve për shkak të ndeshjeve që mund të luajnë ekipet kombëtare. Nga ana tjetër, ka edhe dyshime nëse stadiumi do bëhet gati edhe për nëntorin. Pasi u dogj afati i parë, tashmë pritet të shohim nëse do kapet afati i dytë. Fotot e sotme tregojnë se ka ende shumë punë për të bërë. Dy tribunat e reja kanë avancuar jo pak, por duhet ende edhe shumë punë për të mbaruar. Po ashtu, edhe rikonstruksioni i dy tribunave të vjetra do punë, ndërsa ajo që është më kryesorja, me tapetin e fushës, ende askush nuk ka filluar të merret. Sa më vonë të shkojë fillimi i shtrimit të tij, aq më problem do të jetë, ngaqë do fillojnë shirat dhe ato ndikojnë në ngjitjen e tij me bazamentin e tokës. Shpresat ekzistojnë që të paktën në nëntor stadiumi të mbarojë dhe inaugurimi i tij të bëhet me një ndeshje të madhe të Vllaznisë përballë një kundërshtari të fortë.