Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë janë kandidatë të Komisionit të Rithemelimit të zgjedhur nga anëtarët e PD. Kështu deklaron Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila i përgjigjet PD duke theksuar se një votë për Bashën, është votë për Ramën Kryeministër që e mban me bukë në opozitë.

Sipas LSI, deputeti Basha nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike dhe nëse ai do t’i qëndronte fjalës me LSI dhe demokratët e protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria, sot ai do të ishte kryeministër.

DEKLARATA E PLOTË
LSI distancohet dhe nuk ka asnjë rol në luftën e brendshme që deputeti Basha ka nisur ndaj liderit historik të PD si dhe ndaj deputetëve, drejtuesve e anëtarëve të PD, që kanë votuar shkarkimin e tij. Luftëra të tilla përçarëse brenda opozitës, i shërbejnë vetëm Ramës.

Deputeti Basha nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike. LSI e ka bërë kryetar bashkie në 2011 deputetin Basha, e më parë Ministër në qeverisjen e suksesshme PD-LSI 2009-2013. LSI i ofroi bashkëpunim p akushte deputetit Basha në opozitën 2017-2021.

Nëse ai do t’i qëndronte fjalës me LSI dhe demokratët e protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria, sot ai do të ishte kryeministër.
Por, deputetit Basha nuk i intereson largimi i Ramës. Sot interesi i vetëm i tij është të ketë një vulë, që përmes saj të vazhdojë ashtu siç ka bërë para dhe gjatë 25 Prillit, të firmosë marrëveshje financiare me Kryeministrin Rama.

LSI do të vazhdojë të paraqitet para shqiptarëve si një opozitë e vërtetë. Për të gjithë ata qytetarë, të majtë, të qendrës, demokratë apo pa parti, që shohin se si lidershipi i tyre ka tradhtuar kauzat kombëtare për të pasuruar veten dhe bashkëpunëtoret pranë tyre.

Në zgjedhjet e 6 Marsit, LSI dhe PDK i ka mundësuar anën formale kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit të PD, për t’u regjistruar.
Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë janë kandidatë të Komisionit të Rithemelimit, të zgjedhur nga vetë anëtarët e PD përmes primareve të zhvilluara në partinë e tyre.
Demokracia është garë dhe qytetarët meritojnë alternativa të vërteta ndaj qeverisjes, jo kandidatë falso për një garë me rezultate të paracaktuara, si ajo e 25 prillit.
Si në 25 Prill, ashtu dhe në 6 Mars, një gjë mbetet e sigurë: Një votë për Bashën, është një votë për Ramën Kryeministër që mban me bukë Bashën në opozitë.

Artikulli paraprakKËRKIMET PËR COVID-19, STUDIUESIT ITALIANË ZBULOJNË ORIGJINËN E PNEUMONISË BILATERALE
Artikulli tjetërSPEKTAKËL ME PËRMBYSJE NDAJ ATLETICO MADRID, BARCELONA RRËMBEN VENDIN E KATËRT NË LA LIGA