Lu: SHBA dhe BE kontroll jo vetëm 29, por 193 kandidatëve për Vettingun
Për ambasadorin amerikan Donald Lu, procesi i kryer nga Avokati i Popullit për kandidaturat për t’u bërë komisionerë të Vettingut është serioz dhe profesional. Por megjithatë, ai thotë se janë angazhuar ekspertë ligjorë nga më të mirët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shteteve anëtare të BE-së për të shqyrtuar jo vetëm 29 kandidaturat e përzgjedhura nga Avokati i Popullit, por të 193 personat që aplikuan. Ai nënvizon se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka pesë ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi tha se janë përzgjedhur vetëm 29 persona, 27 prej të cilëve do të zgjidhen si pjesë e komisionit të Vettingut. Ai akuzoi mazhorancën se ka shmangur kandidatë nga SHBA-ja. Lu: Shoh shumë përparim. Në dhjetor patët vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese për të mbështetur ligjin e Vetingut. Po ashtu, pati thuajse 200 shqiptarë që aplikuan për t’u bërë komisionerë të Vetingut. Ishte Avokati i Popullit që kreu një punë shumë serioze, profesionale për t’i shqyrtuar ata persona ndaj kërkesave kushtetuese. Dhe gjatë dy javëve të fundit, kemi pasur ekspertë ligjorë nga më të mirët nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që kanë filluar një proces shumë intensiv për të shqyrtuar jo vetëm 29 persona, por të gjithë 193 personat që ishin në listë. Sot, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka pesë ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Ndaj shpresoj që në një pikë të këtij procesi, rekomandimet do të bëhen publike dhe publiku shqiptar do të ketë mundësinë të shohë se çfarë pune serioze e profesionale është kryer nga Avokati i Popullit dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për pesë ditë, do të jetë përgjegjësia e parlamentit për të marrë përfundimisht hapin tjetër, i cili është formimi i komisioneve të vetingut. E kam dëgjuar skepticizmin, e përsëris, porsi përgjigje them se kam besim 100% se kjo reformë do të ecë përpara. Është në Kushtetutë! Nuk është diçka që mund të zgjedhësh! Në përgjigje të një pyetje mbi mënyrën se si përfundon protesta: Them se rruga më e mirë për të krijuar komisionet do të jetë me pjesëmarrjen e opozitës.