Evakuimi i civilëve dhe rebelëve nga Alepo lindore e Sirisë është ndalur, pasi rebelët janë akuzuar për mosrespektim të marrëveshjes për heqjen e rrethimit nga dy zona.
Së paku 6,000 civilë dhe rebelë thuhet të jenë larguar qysh të enjten, pasi forcat qeveritare kanë rikthyer pjesën më të madhe të qytetit. Në mesin e të evakuuarve janë së paku 2,700 fëmijë, thanë Kombet e Bashkuara. Por, OKB beson se dhjetëra-mijëra njerëz vazhdojnë të mbeten të bllokuar në lindje të Alepos dhe paralajmëron se fëmijët janë në rrezik. “Alepo është tani sinonim për ferrin”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, për gazetarët në Nju Jork. Katër vjet luftime në lindje të Alepos kanë lënë mijëra njerëz të vdekur dhe kanë shkatërruar spitale. Ditëve të fundit, në gjithë botën, nga Malajzia në Turqi, ka pasur protesta për të dënuar dhunën kundër civilëve sirianë dhe për të shprehur solidaritet me opozitën e Sirisë.