Për herë të parë që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët. Prej dy ditësh në bursë një fuçi naftë kushton 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë që ishte çmimi në fund të korrikut.

Kjo është rënia më e fortë e regjistruar që prej 16 marsit të këtij viti kur nafta zbriti në 95 dollar fuçia. Tregjet ndërkombëtare u tronditën menjëherë pas nisjes së luftës e për pasojë çmimi i naftës bruto arriti deri në 127 dollarë fuçia në javën e parë të muajit mars, dhe gjithë kjo kohë është shoqëruar me luhatje të forta.

Por pavarësisht kësaj rënie, një fuçi kushton rreth 22 dollarë më shumë se në 5 gusht të vitit 2021. Kjo luhatje e fortë e çmimit të naftës por edhe e energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse erdhi për shkak të pozicionit dominues që ka Rusia në furnizimin e Evropës me këto produkte. Po ashtu roli dominues i Rusisë në furnizimin me gaz, ndikoj më tej në shtrenjtimin e karburantit dhe energjisë në Evropë.

Të mërkurën, grupi i prodhuesve të naftës i njohur si OPEC Plus ra dakord të rrisë prodhimin me 100.000 fuçi në ditë në shtator, një sasi e vogël krahasuar me 650.000 fuqi naftë që SHBA vendosi të hedhë në treg në muajt korrik dhe gusht.

Në vendin tonë aktualisht qytetarët një litër naftë e blejnë për 221 lekë, që është çmimi i fundit i caktuar nga Bordi i Transparencës për Monitorimin e Karburanteve. Pas uljes së çmimit të naftës bruto në bursë, pritet që edhe bordi në vend të reflektojë çmimet e reja.

Artikulli paraprakTEMPERATURA DERI NË 39 GRADË CELSIUS, JA PARASHIKIMI I MOTIT PËR SOT
Artikulli tjetërAMBASADA SHQIPTARE NË GJERMANI PUBLIKON NJOFTIMIN E RËNDËSISHËM: DUKE NISUR NGA E HËNA…