Lufta e re e Ftohtë, marinsat amerikanë i japin “mesazh” Moskës nga Arktiku
Tanket amerikane shoqërojnë marinsat përmes pyjeve në temperatura nën zero mbi rrethin Arktik. Objektivi është një bunker që ruhet nga ushtarët norvegjezë, në lojën më të fundit luftarake për t’u përballur me realitetin e ri përgjatë kufirit më verior të NATO-s me Rusinë. Që prej janarit 2017, të paktën 300 marinsa amerikanë do të dislokohen në Norvegji, si pjesë e masave për të siguruar aleatët më lindorë të NATO-s për angazhimin serioz të aleancës ndaj tyre. Megjithëse do të jenë rreth 1.000 km larg kufirit, qëllimi i stërvitjeve të tilla është testimi i gatishmërisë së këmbësorisë dhe tankeve, që gjatë vitit janë vendosur në shpella të nëndheshme. Sipas analistëve, mesazhi i aleancës është i qartë: dimri dhe acari nuk janë më armët ekskluzive të Rusisë. Ide që duket se ndahet edhe nga lojtarë të tjerë, pasi stërvitja e SHBA-ve me Norvegjinë është vrojtuar gjatë të gjithë kohës nga “drone” të paidentifikuar, megjithëse në atë zonë të planetit, mbi rrethin Arktik dhe pranë kufirit rus, nuk është zor të dyshosh se kujt mund t’i përkasin. Është hera e parë që tanket amerikane “Ambraham” shkojnë kaq në veri dhe për Norvegjinë, dobia e manovrave është mëse e qartë. Zyrtarë norvegjezë të sigurisë thonë se, shqetësimi për kërcënimin rus rritet nga dita në ditë, sidomos pas ngjarjeve në Krime dhe Ukrainë, ku rebelët separatistë mbështeten në mënyrë diskrete dhe të mohueshme nga fuqia ushtarake ruse. Prania amerikane në Norvegji është një strategji e thjeshtë. Çdo element armiqësor, rebel apo shtetëror, duhet të llogarisë mirë ndërhyrjen në këtë shtet nordik, pasi futet në luftë automatikisht edhe me SHBA-të.