Dita e 152 e luftës në Ukrainë! Gjithnjë e më pak gaz nga Rusia në Evropë. Gazprom po redukton më tej furnizimet për Gjermaninë nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 1 në Detin Baltik. Fluksi i gazit do të bjerë në 20% të kapacitetit total. Prandaj, dërgesat do të kufizohen në 33 milionë metra kub në ditë duke filluar nga e mërkura. Ndërkohë, çmimi i gazit evropian po rritet me 10 për qind. Evropa po përgatitet për skenarin më të keq, thotë Brukseli.
‘Evropa duhet t’i përgjigjet ‘luftës së gazit’ të Rusisë duke rritur sanksionet kundër Moskës’. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, tha se kjo është rruga e vetme kundër kërcënimeve të mëtejshme nga Moska.
‘Kjo është një luftë e hapur e gazit që Rusia po bën kundër një Evrope të bashkuar”, tha Zelensky, duke iu referuar njoftimit të Gazprom për një shkurtim të ri të furnizimeve me gaz në Evropë.
Pavarësisht bombardimeve të portit të Odesës, Rusia dhe Ukraina thonë se mund të nisë plani për eksportin e grurit ukrainas nga bregu i Detit të Zi. Turqia dhe OKB-ja që sponsorizuan marrëveshjen garantojnë sigurinë e autokolonave. Ndërsa Moska siguron se do të respektojë angazhimet e saj, duke lejuar që operacionet të kryhen edhe nga vetë Odessa.
Ndërkohë, lufta në terren, vijon. Ukrainasit thonë se pushtuesit rusë janë në telashe veçanërisht rreth qytetit Kherson, në perëndim të gadishullit të Krimesë, të cilin e pushtuan në fazat e hershme të konfliktit. Dhe në lindje, në Donbass, përparimi i forcave të Moskës duket se është të paktën i ngadalësuar. Presidenca ukrainase thotë se një bombardim rus goditi një qendër kulturore në rajonin verilindor të Kharkiv, ku po punohet për nxjerrjen e katër personave nga nën rrënoja.